“Zgjidhje dyshtetërore”, letra drejtuar BE-së: Refuzoni çdo marrëveshje të padrejtë për palestinezët

15/04/2019 09:02

Ish-politikanë europianë të niveleve më të larta kanë dënuar politikën e njëanshme të administratës “Trump” në lidhje me çështjen izraelito-palestineze, teksa përmes një letre i kërkojnë Bashkimit Europian të refuzojë çdo plan paqeje të Shteteve të Bashkuara për Lindjen e Mesme, derisa të konsiderohet e drejtë edhe për palestinezët.

Letra, e cila i është dërguar edhe prestigjiozes britanike “The Guardian”, veç institucioneve të Bashkimit Europian dhe qeverive europiane, është nënshkruar nga 25 ish-ministra të Jashtëm, 6 ish-kryeministra dhe dy ish-sekretarë të Përgjithshëm të NATO-s.

“Europa duhet t’iu qëndrojë parametrave tona parimore për paqen mes Izraelit dhe Palestinës”, lexohet në letrën në fjalë, e cila bën thirrje për një zgjidhje dyshtetërore, pas së cilës shtetet e Izraelit dhe të Palestinës të bashkëjetojnë në krah të njëri-tjetrit.

Europa – thuhet më tej, – duhet të refuzojë çdo plan që nuk krijon një shtet palestinez përkrah atij të Izraelit, me Jeruzalemin që të shërbejë si kryeqytet për të dyja vendet.

“Fatkeqësisht, administrata aktuale amerikane ka devijuar nga politika ekzistuese prej një kohe të gjatë”, thuhet në letrën, e cila kritikon gjithashtu veprimin e Donald Trumpit në vitin 2017, me njohjen e “pretendimeve të vetëm njërës palë mbi Jeruzalemin”.

Uashingtoni, gjithashtu, “ka shfaqur një indiferencë shqetësuese ndaj zgjerimit të mëtejshëm të blloqeve izraelite të banimit” në Bregun e pushtuar Perëndimor, teksa ka ndërprerë qindra miliona dollarë ndihma për palestinezët, një lëvizje kjo që sipas asaj që është shkruar në letër, konsiderohet si “bastvënie me sigurinë dhe stabilitetin e shumë vendeve që ndodhen pas derës së Europës”.

Që prej marrjes së “çelësave” të Shtëpisë së Bardhë, mes lavdërimeve të panumërta të qeverisë izraelite, Trump ka ndërmarrë masa që janë konsideruar ndëshkuese ndaj palestinezëve, madje që mbysin realizueshmërinë e një shteti palestinez.

Presidenti amerikan ka premtuar të zbulojë një “pakt përfundimtar” ende misterioz për izraelitët dhe palestinezët, ndërkohë që lidershipi palestinez e ka refuzuar atë ende pa u zbuluar, duke e konsideruar si të njëanshëm, falë edhe qëndrimit të presidentit izraelit, Benjamin Netanyahu, i cili përjashton kategorikisht një shtet palestinez.

Letra i është dërguar të dielën përfaqësueses së lartë të BE-së për Punët e Jashtme, Federica Mogherini, si dhe ministrave të Jashtëm europianë në detyrë. Mes firmëtarëve janë Jean Marc Ayrault, Carl Bildt, Włodzimierz Cimoszewicz, Massimo D’Alema, Guy Verhofstadt dhe Dacian Cioloș, ish-kryeministra të Francës, Suedisë, Polonisë, Italisë, Belgjikës dhe Rumanisë respektivisht. Ish-sekretarët e NATO-s janë Willy Claes dhe Javier Solana, ndërsa ka firmosur edhe ish-presidenti irlandez Mary Robinson. Dy ish-sekretarë të Jashtëm britanikë, David Miliband dhe Jack Straw, figurojnë mes firmëtarëve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA