Vetëm pak ditë pasi i ndezi “dritën jeshile” Policisë Metropolitane për ta arrestuar pas revokimit të azilit politik, presidenti i vendit amerikano-latin është shprehur se themeluesi i “Wikileaks”-it, Julian Assange ka shfrytëzuar Ambasadën ekuadoriane në Londër si një “qendër spiunazhi”.
Lenin Moreno tha gjithashtu se asnjë shtet tjetër nuk ka ndikuar në vendimin për t’i revokuar azilin, por gjithçka ka ardhur si pasojë e shkeljeve nga vet Assange. Duke folur për “The Guardian”, presidenti Moreno pretendon madje se ish-qeveria e Ekuadorit i ka ofruar ambiente brenda Ambasadës “për të ndërhyrë” në çështje të shteteve të tjera.
Megjithatë, avokatja e Assange i ka dalë në mbrojtje themeluesit të “Wikileaks”, duke akuzuar Ekuadorin për “pretendime mizore”.
Presidenti Moreno, i ardhur në pushtet në vitin 2017, e justifikoi pikërisht kështu vendimin për t’i dhënë fund strehimit 7-vjeçar të Assange në Ambasadën ekuadoriane.
“Çdo përpjekje për destabilizim është e dënueshme për Ekuadorin, sepse ne jemi një vend sovran dhe respektojmë politikat e çdo vendi tjetër. Ne nuk mund të lejojmë shtëpinë tonë, që hapi dyert e saj kur nevojitej, të kthehet në një qendër spiunazhi”.
Presidenti adresoi edhe çështjen e mungesës së higjienës tek Assange, pas pretendimeve të ngritura nga ministrja e Brendshme e Ekuadorit, Maria Paula Romo. Por kjo është cilësuar e tepërt nga mbrojtja e Assange, që përfaqësohet nga avokatja Jennifer Robinson.
“Mendoj se, gjëja e parë që duhet thënë është se Ekuadori po ngre pretendime mizore gjatë ditëve të fundit, për të justifikuar diçka të paligjshme dhe vendimin e jashtëzakonshëm për të lejuar policinë britanike të futët brenda një Ambasade”, tha avokatja.
Ajo shtoi më tej se frika e Assange se i kërcënohet një ekstradim i mundshëm në Shtetet e Bashkuara rezultoi e mirëqenë këtë javë, pas akuzave që i janë ngritur, sipas të cilave i linduri në Australi tentoi të piratonte një kompjuter me të dhëna të klasifikuara të Pentagonit.
Assange, 47 vjeç tashmë, rrezikon 12 muaj burgim pasi u shpall fajtor për shkelje të lirisë me kusht, kur ai hyri në Ambasadën ekuadoriane në vitin 2012. Lëvizjen asokohe, ai e bëri pasi humbi betejën ligjore për ekstradim në Suedi, vend ku përballet me akuza të rënda, përfshi përdhunimin.
Por, përpara akuzave suedeze, atij i duhet të luftojë kundër ekstradimit në SHBA, vend që e kërkon për konspiracion në bashkëpunim me ish-analistin e shërbimeve sekrete ushtarake, Chelsea Manning, për të shtënë në duar një kompjuter me të dhëna të klasifikuara qeveritare.
Top Channel