Me vështirësi të madhe, socialdemokratët arritën t’ia shkëpusin fitoren populistëve në zgjedhjet e përgjithshme të Finlandës, të dielën.
Vetëm 0.2% ishte diferenca e votave të tyre me ato të partisë së ekstremit të djathtë “Finns”, që u rendit kështu e dyta, duke spostuar në vend të tretë partinë e qendrës së kryeministrit në largim, Juha Sipila, mbështetja për të cilën pësoi rënie drastike në 13.8%.
“Për të parën herë që prej vitit 1999, ne jemi partia më e madhe në Finlandë”, deklaroi udhëheqësi socialdemokrat, Antti Rinne.
Por, rezultati nuk prodhoi dot fitues të qartë, duke e bërë mjaft të vështirë detyrën e krijimit të një koalicioni qeverisës.
Kjo ishte hera e parë në më shumë se një shekull, që asnjë parti në vend nuk siguroi mbi 20% të votave. Socialdemokratët arritën praktikisht të marrin vetëm një vend më shumë në Parlament sesa Partia e Finlandezëve (Finns).
Për këta të fundit, vet fakti që forca e tyre politike arriti ta rindërtojë bllokun e saj parlamentar ishte arsye për të festuar.
“Nuk e prisja një rezultat të tillë, asnjë nuk e priste”, deklaroi kreu i saj, Jussi Halla-aho. Që përpara votimit, shumë prej partive kryesore e kishin përjashtuar mundësinë e një koalicioni me partinë “Finns”.
Top Channel