Udhëtarët në kufirin gjermano-austriak duhet të përgatiten për kontrolle në kufi. Shkaku janë edhe përpjekjet për ritpërtëritjen e atij që njihet si itinerari i Ballkanit.
“Numri i kalimeve të paligjshme të kufirit është ende mjaft i lartë”, tha një zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Gjermanisë, e pasojë e kësaj ishte dhe vendimi për vazhdimin e kontrolleve kufitare. Ministria e Punëve të Brendshme të Gjermanisë informoi Brukselin se nga nëntori 2018 deri në shkurt 2019 janë regjistruar 950 raste të shkeljes ilegale të kufirit.
Nga ana tjetër, shtysë të fuqishme dha ripërtëritja e “potencialit të emigrimit” përmes Detit Mesdhe dhe të ashtuquajturit itinerari i Ballkanit. Dhe Gjermania nuk është e vetmja që merr një vendim të tillë. Danimarka po ashtu ka bërë të ditur zgjatjen e kontrolleve kufitare deri në nëntor dhe e argumentoi këtë me “presionin që ende ekziston në kufijtë e jashtëm të Europës”.
Kërcënimi terrorist për Danimarkën është si edhe më parë serioz, “gjë që e bën të nevojshme kontrollin kufitar”, tha ministrja daneze për Integrimin dhe të Huajt, Inger Støjberg. Austria, Franca dhe Suedia bën deklarata të ngjashme lidhur me zgjatjen e kontrolleve kufitare. Kontrollet kufitare mes Gjermanisë e Austrisë pritet të vazhdojnë deri në 11 nëntor 2019. Gjermania kontrollon kufirin me Austrinë nga vjeshta e vitit 2015, kur erdhën dhjetëra mijëra refugjatë nga Greqia përmes itinerarit të Ballkanit.
Top Channel