Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC) me seli në Hagë ka refuzuar kërkesën e një prej prokurorëve të saj për të hetuar krimet e supozuara të luftës, të kryera në Afganistan nga forcat amerikane, me justifikimin e paqëndrueshmërisë dhe mungesës së bashkëpunimit me hetuesit afganë.
Vendimi është lavdëruar nga presidenti amerikan, Donald Trump, si një “fitore e rëndësishme ndërkombëtare”, ndërkohë që është kritikuar ashpër nga grupet mbrojtëse të të drejtave të njeriut, përfshi edhe “Amnesty International”.
Gjykatësit dhanë vendim vetëm një javë pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës i revokuan vizën prokurores së Hagës, Fatou Bensouda. Revokimi erdhi pikërisht pas kërkesës së saj, që Gjykata e Hagës të hetonte krimet e mundshme të luftës të zhvilluara nga forcat amerikane në Afganistan.
SHBA i revokon vizën prokurores së Gjykatës së Hagës
Në shpjegimin e detajuar të vendimit unanim, gjykatësit e Dhomës trianëtarëshe të Paragjykimit në Hagë shkruanin se një hetim i tillë “nuk do t’i shërbente interesit të drejtësisë”.
Trump tha se kjo ishte një fitore jo vetëm për patriotët, referuar ushtarëve amerikanë, por edhe për sundimin e ligjit. Në deklaratën e tij, ai e quajti më tej Gjykatën e Hagës si “të jashtëligjshme”, e tha se ajo do të përballej me një “kundërpërgjigje të shpejtë dhe të fuqishme” nëse do të tentonte të hetonte shtetasit amerikanë apo të aleatëve.
“Amnesty” nga ana e saj tha se refuzimi për hetuar ishte një “braktisje tronditëse e viktimave”, që mund të çojë në “dobësimin e besueshmërisë, edhe kështu të diskutueshme, të Gjykatës së Hagës”. Biraj Patnaik, nga “AI”, tha se vendimi mund të konsiderohet fare mirë si një “kapitullim pa kushte ndaj bullizmit të Uashingtonit”.
Top Channel