Grabitja në aeroportin e Rinasit ngriti shumë dyshime mbi nivelin e sigurisë, por angazhimi i forcave të armatosura të ushtrisë, praktikisht i policisë ushtarake për ruajtjen e këtij aeroporti, shkaktoi shumë polemika.
Opozita përveç se denoncoi rastin e grabitjes si një paaftësi dhe rënie të shtetit, foli edhe për paligjshmëri në vendimin për të autorizuar ushtrinë të futet në veprim.
Gjithashtu shqetësim shfaqi edhe Presidenti i Republikës që nuk ishte informuar për lëvizjen e forcave dhe mjeteve të ushtrisë në cilësinë e komandantit të Forcave të Armatosura të Ushtrisë.
I ftuar në studion e Top Talk, ishte zv/ministri i Mbrojtjes, Petro Koçi, i cili vuri në dukje se nuk ka shkelje të Kushtetutës në këtë vendim, pasi policia ushtarake është angazhuar për të mbrojtur asetin që ka në pronësi.
“Nuk ka pasur dislokim të forcave ushtarake që ka për qëllim të tejkalojë Kushtetutën apo ligjin: Bëhet fjalë për një rast ku është evidentuar për të disatën herë, ku siguria e një aseti të çmuar të infrastrukturës për interesat kombëtare është vënë në rrezik. Duke qenë se ky aset shërben edhe si infrastrukturë ushtarake, sepse në aeroportin e Rinasit ndodhet komanda e forcave ajrore. Derisa të garantohemi që në përputhje me veprimtarinë e koncensionarit, apo me marrje të masave të tjera është e pacënueshme është vepruar me policinë ushtarake. E gjitha në përputhje me ligjin që vepron policia ushtarake. Ajo ndërhyn në çdo rast që cenohet prona e Forcave të Armatosura”, shpjegoi Petro Koçi.
Më tej ai shtoi se: “Mënyra se si kanë hyrë është thuajse banale. Herën e parë mund të quhej edhe si aksidentale, por hera e dytë tregoj se nuk ishte marrë fare masa. Konkluzioni ishte automatik këtu nuk ishin marrë fare masa. Këtu është vepruar nga policia ushtarake për të siguruar perimetrin e aeroportit deri sa të merren masat nga ata që edhe paguhen për sigurinë”.
Top Channel