Presidenti Donald Trump pranoi të ketë planifikuar lirimin e emigrantëve të burgosur dhe transferimin e tyre në bastionet kryesore të demokratëve në SHBA, në atë që përbën një dredhi politike hakmarrëse.
Presidenti republikan ka shfrytëzuar rrjetin social “Twitter” për të thënë se kundërshtarët e tij politikë do të ishin “tejet të lumtur” rreth kësaj çështjeje, duke parë edhe “politikat e tyre të kufijve të hapur dhe krahëve të hapura”.
Ai e konkretizoi madje shënjestrën e tij, me ato qytete të ashtuquajtura “të shenjta”, të cilat kanë ligje lokale për të strehuar emigrantët pa dokumente. Por, i menjëhershëm ishte reagimi i udhëheqësve demokratë, që e kritikuan deklaratën e Trumpit si aspak presidenciale.
“Duke qenë para faktit që demokratët nuk duan të ndryshojnë ligjet tona tejet të rrezikshme të emigracionit, atëherë – ashtu siç është raportuar, – ne po marrim në konsideratë vendosjen e emigrantëve ilegalë vetëm në këto qytete të shenjta”, shkruante Trump.
Deklarata e presidentit binte ndesh me atë të Shtëpisë së Bardhë të drejtuar prej tij, me këtë të fundit që ka mohuar në një reagim se plani ishte ende duke u konsideruar.
Komentet e Trumpit erdhën pas raportimeve në mediet amerikane, se ai kishte dashur që Departamenti i Sigurisë së Brendshme të lironte emigrantët e burgosur në bastionet e demokratëve.
Due to the fact that Democrats are unwilling to change our very dangerous immigration laws, we are indeed, as reported, giving strong considerations to placing Illegal Immigrants in Sanctuary Cities only….
— Donald J. Trump (@realDonaldTrump) April 12, 2019
Top Channel