Philip Hammond ka refuzuar mundësinë që Britania e Madhe të shfrytëzojë shtyrjen e “Brexit”-it për të zhvilluar një referendum të dytë, teksa ka theksuar se ende pret që vendi të shkëputet nga Bashkimi Europian.
Duke folur nga Uashingtoni, Kancelari britanik tha se koha është tejet e pamjaftueshme për të zhvilluar një votim konfirmues përpara afatit të ri të fundtetorit, përveçse nëse do të vendoset kështu në javët e ardhshme.
Hammond tha se dëmi i shkaktuar nga paqartësia e vazhdueshme, përfshi këtu problemet për të zgjedhur një kandidat të përshtatshëm për zëvendësimin e Mark Carneyt si guvernator i Bankës së Anglisë, nënkupton se është tejet jetike që çështja e “Brexit”-it të zgjidhet sa më shpejt të jetë e mundur.
Kancelari britanik ka folur ndërkohë që bisedimet ndërpartiake vijonin në Westminster. Zëvendësi “de facto” i kryeministres May, David Lidington, si dhe Sekretari për Mjedisin, Michael Gove, u takuan me Kancelarin në hije laburist, John McDonnell, për bisedime, të cilat të dyja palët i përshkruan si “produktive”.
“Bisedimet vazhdojnë, sigurisht në frymë konstruktive, ndaj kemi shpresa për një përfundim pozitiv. Po punojmë për një marrëveshje kuadër, për të cilën duhet shumë punë për detajime gjatë javës apo 10 ditëve të ardhshme”, tha McDonnel për reporterët.
I pyetur nëse ai e ka ngritur mundësinë e mbajtjes së një referendumi të dytë mbi “Brexit”-in, ai tha se kjo çështje “është gjithnjë në tryezë, padyshim. Ne e kemi ngritur në çdo takim”.
Por, disa deputetë laburistë, përfshi Clive Lewis si pjesë e ekipit të Thesarit në hije, këmbëngulin se partia Laburiste nuk duhet të nënshkruajë asnjë marrëveshje, pa pasur të bashkëngjitur mundësinë për votim konfirmues, që do të thotë një referendum popullor.
Top Channel