Një biznesmen bleu një ishull për tetë milionë dollarë (pak më shumë se 7 milionë euro) dhe një javë më vonë u arrestua për vjedhjen e dy ekspresëve të kafes, 8 llambave dhe një shtrati me vlerë 300 euro.
Autori i krimit ishte milioneri Francis Lippi. Ai sapo kishte blerë ishullin “ Thompson” pranë Majamit. Lippi gjithashtu zotëron shtëpinë e “Real World” në Key Haven, ku një seri MTV-së u filmua në vitin 2006 dhe dhomat e kësaj banese jepen me qira 999 euro nata.
Sipas raportit të policisë, Lippi i vodhi sendet dhe kutitë origjinale i mbushi me gjëra të tjera brenda. Sipas gazetës amerikane “Miami Herald”, Lippi mohoi akuzat e vjedhjes, por nuk dëshironte të hynte në detaje. “Në thelb ajo ka të bëjë me një mosmarrëveshje tregtare. Është shumë e komplikuar dhe nuk do të më pëlqente që ta vazhdoja më tutje këtë histori “, shpjegoi ai. Pavarësisht se i mohoi akuzat, do të shkojë në gjyq më 18 prill.
Top Channel