Themeluesi i Wikileaks, Julian Assange mund të rrezikojë torturën, nëse ai do të ekstradohet në Shtetet e Bashkuara, tha një nga avokatët e tij në Madrid të enjten, pas arrestimit të australianit në Londër.
Argumentet e dhëna për përfundimin e qëndrimit gati-gati shtatëvjeçar të Assange nën azilin në ambasadën ekuadoriane të Londrës, ishin të rreme dhe tani do të fillojë një proces ekstradimi, u tha gazetarëve, avokati Baltasar Garzon.
Julian Assange u arrestua afër mesditës së sotme në Ambasadën e Ekuadorit në Londër, ku qëndronte prej afërsisht 7 vitesh, me statusin e azilantit. Ai është marrë në paraburgim në një stacion qendror të policisë në Londër ku do të qëndrojë deri sa të paraqitet para Gjykatës së Magjistraturës të Westminsterit.
Julian Assange është një programues kompiuterash 47-vjeçar nga Australia, i cili në vitin 2006 themeloi Wikileaksin. Kjo e fundit u bë e famshme në vitin 2010 kur zbuloi një sërë informacionesh të klasifikuara si sekrete.
Top Channel