Kur Skirmantas Strimaitis rezervoi një biletë me vetëm një drejtim, në Italinë veriore, ai kurrë nuk imagjinonte se do të ishte i vetmi pasagjer në bord.

Por shtetasi lituanez, i cili fluturonte nga Vilnius në Bergamo, për të bërë ski, më 16 mars, u trondit kur zbuloi se kishte të gjithë Boeing 737-800 për veten e tij. Shoqëruesit e tij të vetëm në bordin e avionit, që ka një kapacitet prej 189 personash, ishin dy pilotë dhe pesë anëtarë të ekuipazhit.

Strimaitis dyshonte se diçka ishte e gabuar kur ai shkoi për të hyrë në aeroportin ndërkombëtar të Vilniusit të Lituanisë dhe iu tha që ekuipazhi po e priste. Pas pyetjes pse, pasi ai nuk ishte vonë, Strimaitis u informua se ai ishte i vetmi pasagjer në bord.

Operatori Tour Novaturas i konfirmoi CNN Travel-it, se ata dërguan një çarter për një fluturim nga Bergamo në Vilnius për një grup të klientëve atë ditë dhe për të shmangur kthimin bosh të avionit, u ofruan bileta shitjeje me një drejtim.

Megjithatë, Strimaitis ishte personi i vetëm që e kishte blerë një biletë dhe kreu udhëtimin që ai e përshkruan si një eksperiencë “unike dhe joreale”.
“Ekuipazhi dukej mjaft i hutuar në fillim”, i thotë CNN Travel lituanezi.

“Ndoshta ishte një përvojë e re edhe për ta. Unë u pajis me një demonstratë personale të sigurimit para fluturimit, dhe më pas u kënaqa me fluturimin duke bërë selfie dhe shkruar”.

Ai ndau një selfie në bordin e avionit bosh gjatë udhëtimit, i cili zgjati rreth dy orë. Strimaitis thotë se piloti i referohej atij si “Mr Passenger”, duke folur pasi aeroplani u ul në aeroportin ndërkombëtar të “Orio al Serio” në Bergamo.

“Ekuipazhi tha se sa mirë ishte që më kishin në bord,” shpjegon ai. “Unë jam i sigurt se ishte një punë e lehtë për ta”. Natyrisht, ky nuk është rasti i parë i një pasagjeri, që pa dashje merr eksperiencën e aeroplanit privat.

FOTO GALERI
1/11

Top Channel