Qeveria britanike tha të hënën se kishte ndërmarrë hapat e nevojshëm të kërkuar nga ligji, për të marrë pjesë në zgjedhjet e Parlamentit Evropian në maj, por kjo nuk do të thotë se ishte e pashmangshme që Britania do të merrte pjesë.

Britania duhet të largohet nga BE të premten, por Kryeministrja Theresa May i ka kërkuar unionit një shtyrje të mëtejshme të afatit të daljes së Britanisë, ndërsa ajo kërkon të arrijë një kompromis me Partinë Laburiste në opozitës, në mënyrë që të marrë miratimin e saj për një marrëveshje të Brexit.

“Si një qeveri e përgjegjshme sot ne kemi ndërmarrë hapat e nevojshëm të kërkuar nga ligji, nëse duhet të marrim pjesë”, tha një zëdhënës i qeverisë në një deklaratë.

“Megjithatë nuk do të thotë se zgjedhjet janë të pashmangshme, pasi nëse Britania arrin një marrëveshje për t’u larguar nga blloku para datës së zgjedhjeve, atëherë ne automatikisht përjashtohemi nga procesi”, tha zyrtari.

Parlamenti britanik nuk ka arritur të kalojë një marrëveshje për mënyrën e daljes nga BE-ja, por ka votuar një ligj tjetër, që ndalon daljen pa marrëveshje, duke detyruar kryeministren Theresa May, të kërkojë një tjetër afat, përtej 12 Prillit.

Top Channel