E “bombarduar” me një breshëri pyetjesh, sesi do të kontribuojë dhe sesi e mendon zgjidhjen e krizës politike në vend, duke qenë se është vetëm një deputete e vetme dhe nuk ka pas vetes një grup parlamentar apo një parti, Rudina Hajdari tha se nëse do të jetë vullneti, sipas asaj që kërkohet edhe prej aleatëve ndërkombëtarë, kriza zgjidhet duke u ulur në një tryezë shumëpalëshe.
“Duhet të ulemi në një tryezë të përbashkët, jo në komisione të posaçme. Vetëm përmes dialogut të sinqertë dhe gatishmërisë për ndryshime e reforma të rëndësishme, duke nisur nga ajo e Kodit Zgjedhor, mund të shkojmë drejt zgjedhjeve të lira e të ndershme”, tha Rudina Hajdari.
Megjithatë, sipas saj, dialogu është i pamundur me lidershipin aktual të opozitës.
“Ata kërkojnë largimin e kryeministrit Rama, krijimin e një qeverie teknike dhe duan zgjedhje të parakohshme pa Ramën. Kjo nuk është një situatë që të vendos në kuadrin e një dialogu të mundshëm dhe të sinqertë me palën kundërshtare”, tha zonja Hajdari.
Në vazhdën e diskutimeve me argumente dhe kundërargumente, Ervis Iljazaj debatoi ashpër me deputeten duke e quajtur atë jo përfaqësuese të opozitës. Madje ai solli edhe argumentin se, nëse Rudina Hajdari do të ishte opozita e sotme, atë do ta kishin takuar të gjithë personalitetet e huaja që vijnë në Shqipëri për të ndërhyrë për një zgjidhje të krizës.
Sipas drejtorit të gazetës “Liberale”, ata që kanë ardhur kanë takuar ose kanë lënë takime të takohen me Bashën, me Kryemadhin etj., duke nënkuptuar kështu se ndërkombëtarët njohin si opozitë shqiptare ata që janë jashtë Kuvendit të Shqipërisë, dhe jo ata pak deputetë që kanë hyrë si zëvendësues në Parlament.
“Unë jam takuar qoftë me përfaqësues të huaj, qoftë me ish-figura të shquara të Partisë Demokratike. Nëse ju doni të dini nëse unë kam bashkuar forcat me dikë apo shumëkënd kundër një personi apo disa personave, nuk është ky rasti. Takimet me disa prej figurave përfaqësuese të PD-së ndër vite kanë qenë në kuadër të diskutimeve sesi mund të reformohet edhe partia vet për ta bërë më demokratike”, tha Rudina Hajdari.
Top Channel