Me siguri që keni dëgjuar se populli japonez është një nga më jetëgjatët në botë dhe se ishulli Okinava ka më shumë persona mbi 100 vjeç.
Gjithmonë jam mahnitur nga shekullorët dhe nga leksionet për jetën që ata kanë për të dhënë. Por, e vërteta është se kurrë nuk kam qenë i sigurtë nëse dua të jetoj aq gjatë nëse nuk kam një trup dhe një mendje të shëndetshme. Për këtë arsye kjo statistikë më ka tërhequr vëmendjen: përafërsisht 2/3 e banorëve të Okinavës kanë një jetë të pavarur edhe pse janë 97 vjeç. Që do të thotë se jetojnë në shtëpinë e tyre, gatuajnë vetë dhe jetojnë plotësisht jetën kur ishin rreth 100 vjeç.
Okinava është një zinxhir ishujsh rreth 400 milje në jugperëndim të Japonisë. Emri Okinava do të thotë “litar në det të hapur” sepse Okinava është në mes të oqeaneve, me Paqësorin në lindje dhe Detin Lindor Kinez në përëndim. Ka plazhe të bardha dhe një klimë tropikale.
Sapo mbërrita në Okinava, menjëherë e kuptova se kishte diçka ndryshe aty. Edhe pse nuk pashë njerëz që vraponin apo shkonin në palestër, pashë shumë të moshuar aktivë. Ata merreshin me kopshtin, bënin tai chi në park, ngisnin biçikletën dhe luanin “gateball” me shokët.
Të moshuarit në Okinava ka shumë më pak gjasë që të kenë sëmundje të zemrës apo sklerozë në krahasim me të moshuarit në SHBA. Edhe kockat i kanë më të forta sesa moshatarët e tyre nëpër botë. Mësova se shumë nga banorët kanë qenë subjekt i një prej studimeve më të mëdha që është realizuar mbi të moshuarit. Që nga viti 197, më shumë se 1000 të moshuar janë studiuar dhe sekretet e tyre të mrekullueshme janë zbuluar në episodin e parë të dokumentarëve të mi të quajtur “Chasing Life”.
Nëse pyet dikë në Okinava mbi arsyen e jetës së tyre të gjatë, do të dëgjoni dy fjalë: ikigai dhe moai. Ikigai do të thotë “qëllim në jetë”. Në Okinava, ikigai i një personi rritet me kalimin e viteve. Është arsyeja e tyre për të jetuar, gjëja që i bën të ngrihen nga shtrati në mëngjes. Në SHBA njerëzit dalin në pension në të gjashtëdhjetat, por në Japoni nuk ekziston koncepti i pensionit.
Moai është një grup njerëzish që kanë interesa të përbashkëta dhe kujdesen për njëri-tjetrin. Moai është një “tribu” dhe një arsye tjetër që okinavasit mendojnë se ndihmon jetëgjatësinë.
Përpara se t’ju them se çfarë hanë banorët e këtij ishulli, duhet t’ju tregoj se si hanë. Mbani mend këtë term: hara hachi bu. Përkthimi: Ndalo së ngrëni kur je 80% i ngopur. Ky është një nocion i vështirë për t’u praktikuar, sidomos në një kulturë ku ke dëgjuar gjithmonë “haje të gjithë pjatën”. Me hara hachi bu, filozofia është që të jesh ende i uritur kur të ngrihesh nga tavolina. Një amerikan merr 2 500 kalori në ditë, ndërsa një banor i Okinavës merr 1 900.
Ka një arsye shumë të thjeshtë biologjike pse kjo funksionon. I duhen rreth 20 minuta stomakut që të dërgojë sinjal në tru se ai është ngopur. Fatkeqësisht, shumica e njerëzve fusin në stomak disa qindra kalori të tjera në këtë periudhë kohe.
Përsa i përket dietës së banorëve të zonës, ata hanë në kuti bento. Kjo kuti ka 6 ndarje të vogla, ku përfshihet orizi, patate të ëmbla, goya, një copë e vogël peshku, perime dhe fruta. Në fund pak supë mizo dhe çaj jeshil.
Okinavasit hanë 7 fruta dhe perime të ndryshme në ditë, gjë që nuk ndodh në SHBA.
Për të qenë të sinqertë, gjërat në Okinava kanë nisur të ndryshojnë dhe jo për mirë. Brezat e rinj po hanë më shumë mish dhe “fast food” në vend të peshkut dhe sojës, ndërkohë që kanë lënë biçikletat për makinat. Të moshuarit vazhdojnë të jetojnë shëndetshëm, por ata janë gjithmonë e më pak.
Gjithsesi, “Toka e të Pavdekshmëve” na mëson se gjithçka është e mundur, kudo që të jetoni.
Nga Dr. Sanjay Gupta, CNN
Top Channel