Sekretarja e Sigurisë së Brendshme, Kirstjen Nielsen ka lënë pozicionin e saj dhe kjo është konfirmuar nga vetë Presidenti Donald Trump, në një postim në Twitter.

Kevin McAleenan, komisioner i doganave dhe mbrojtjes kufitare do të jetë sekretari në detyrë, në pritje të konfirmimit të pasuesit të Nielson. Që javën e kaluar, Nielsen kishte bërë të ditura planet për të ridislokuar me qindra agjentë të doganave dhe kontrollit kufitar në kufirin jugor për t’u përballur me fluksin e emigrantëve në disa zona të caktuara.

Por, 46-vjeçarja nuk kishte shumë mbështetje brenda administratës, ndërkohë që kishte marrë përsipër përgjegjësinë publike për politikat anti-emigracion të vetë Presidentit. Trump raportohet ndërkohë që ka shprehur pakënaqësi me performancën e saj në punë.

Në nëntor, “Washington Post” citonte zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë që thonin se Trump po planifikonte ta shkarkonte atë nga detyra. Javën e shkuar, Shtëpia e Bardhë papritur tërhoqi nominimin e Ronald Vitiello për pozicionin e shefit të doganave dhe emigracionit dhe Nielsen ka drejtuar Departamentin e Sigurisë së Brendshme, të tretin më të madh në qeveri, pa një zëvendës që kur ajo pasoi John Kellin në post, në dhjetor 2017, pasi ky i fundit u bë shef i stafit të Shtëpisë së Bardhë.

Top Channel