Rama sulmon rektorin Koni: Universiteti nuk është për të krijuar tendera

08/04/2019 15:13

Nga Universiteti i Arteve, nga ku u lançua thirrja e katërt për programin kombëtar të praktikave të punës, kryeministri Edi Rama përsëriti pakënaqësitë e tij për performancën e rektorit të Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni.

“Të gjithë punët e studentëve të mbahen me kopje në dorë, sikur të jemi në kooperativën bujqësore dhe më e rënda është se në vend që t’i zgjidhi, rektori ankohet. Ankohet se pse unë e sjell këtë temë në diskutim, por si t’ia bëjmë? Ta mbajmë këtë përgjegjësi edhe ne? Universiteti është autonom, por nuk është thjesht liri për të bërë tendera apo e drejtë për të bllokuar universitetin për tendera, por është përgjegjësi. Duhet një zgjidhje, ndërsa ne kemi propozuar që mos të ndërhyjmë, por realisht është problem. Universiteti nuk mund të përdoret për të krijuar tendera, por për t’iu shërbyer nevojave imediate, që kanë të gjithë studentët në Universitetin e Tiranës”, tha Rama.

E ndërsa qeveria mundësoi ngritjen e bibliotekës “online”, tha kryeminsitri, paradoksi është se ajo nuk mund të përdoret: “Ky është kulmi, që të sigurohet biblioteka dixhitale për studentët dhe që UT që mos ta përdori dot se nuk ka sistem teknologjik që lejon përdorimin e bibliotekës dhe studentet të jenë të përjashtuar nga aksesi për shkak se rektori dhe rektorati, të cilët kanë përgjegjësi. Ky është kulmi. Unë nuk e di se çfarë duhet të ndodhë më tepër”.

Kryeministri hodhi një paralelizëm me vetting-un në gjyqësor dhe atë të vlerësimit të titujve akademikë: “Asnjë hap. Zero! Pse? Sepse ajo do të hapë një proces njësoj si ai i gjykatësve dhje prokurorëve dhe ka shumë nga ata që janë profesorë që u shfaqën si pedagogë, por në fakt janë sharlatanë dhe titujt i kanë pa asnjë lloj vlere dhe asnjë lloj baze. U bënë doktorët e shkencave sikur të jenë shalqinj. Do durojmë e do durojmë, por edhe ne do të plasim në fund”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA