Egjipti po i jep prekjet e fundit koleksionit të tij të artefakteve të mbretit Tutankhamun përpara hapjes së planifikuar të muzeut të madh, ku veprat e lashta do të ekspozohen në sallën më të madhe të ndërtesës 1 miliardë dollarëshe, hapja e të cilës është shtyrë për në 2020.

“Kemi përfunduar nivelin e parë të ndërtimit të muzeut, që është salla e mbretit Tutankhamen. Ajo do të mbajë rreth 5 mijë pjesë të koleksionit të tij. Muzeu do të mbajë rreth 100 mijë antikitete, 50 mijë do të ekspozohen dhe po aq do të mbahen rezervë”, thotë Kahled El-Anany, minister i antikiteteve.

Sipas ministrit egjiptian të antikiteteve, janë transferuar me sukses 47 mijë vepra antike në magazinat e muzeut dhe laboratorët e restaurimit. E ky, shton ai, nuk do të jetë një muze i zakonshëm pasi ka 492 mijë metra katror hapësirë ekspozimi. Egjipti, po punon shumë për të tërhequr sa më shumë vizitorë dhe ka intensifikuar përpjekjet në planin antik.

Kjo pasi situata e paqëndrueshme politike që pas kryengritjes së vitit 2011, ka dëmtuar shumë sektorin e turizmit në vend. Me muzetë dhe pasurinë e madhe antike të tij, Egjipti po tenton tani të rikthejë lavdinë e dikurshme.

Top Channel