Organizata e Kombeve të Bashkuara ka dënuar përgjegjësit e sulmit ajror që nxori jashtë pune të vetmin aeroport funksional në kryeqytetin e Libisë, Tripoli, sulm i ndërmarrë gjatë kësaj të hëne.

Të gjitha fluturimet nga dhe drejt Aeroportit ndërkombëtar “Mitiga” u pezulluan dhe pasagjerët u evakuuan. Për fat të mirë, asnjë viktimë nuk është raportuar mes civilëve.

OKB-ja ka bërë përgjegjëse për sulmin ajror forcat besnike të gjeneralit Khalifa Haftar, një komandant nga lindja e vendit që po përpiqet të pushtojë kryeqytetin. Një zëdhënës i forcave të Haftarit tha se avionët e pasagjerëve nuk kanë qenë pjesë e shënjestrës.

Gjenerali në fjalë, në krye të Ushtrisë Kombëtare Libiane (LNA) deklaroi një sulm për marrjen e kryqytetit, Tripoli, nga qeveria libiane e mbështetur nga OKB-ja, gjatë javës së kaluar. Kryeministri Fayez al-Serraj e akuzon atë për përpjekje për “grusht shteti”.

Vetëm gjatë këtyre ditëve të fundit të luftimeve, të paktën 2.800 njerëz janë larguar për t’i shpëtuar pasojave të luftës, sipas OKB-së. Ndërkohë, për ata që kanë qëndruar ende në vend, OKB-ja paralajmëron se do të mbeten të kufizuar nga shërbimet më jetike për shkak të përplasjes së armatosur.

Libia ka qenë e përfshirë nga dhuna, paqëndrueshmëria politike dhe luftës për pushtet, që kur sundimtari Muammar Gaddafi u rrëzua dhe u vra në vitin 2011. Fuqitë ndërkombëtare kanë nisur evakuimin e personelit të tyre nga vendi, për shkak të përshkallëzimit të situatës.

Top Channel