Bashkimi Evropian ka akuzuar prodhuesit gjermanë të makinave se janë mbledhur së bashku në një kartel në përpjekje për të penguar teknologjinë që synonte reduktimin e emetimeve të rrezikshme.
“Grupi Volkswagen që përfshin Volkswagenin, Audin dhe Porshin, si edhe BMW dhe Daimler, kanë punuar së bashku për të vonuar hyrjen në funksion të teknologjisë së re të reduktimit të emetimeve”, tha Komisioni Evropian. Një hetim paraprak doli në përfundimin se kompanitë kanë mbajtur takime të përbashkëta për të penguar konkurrencën në teknologjinë e emetimeve.
“Ne jemi të shqetësuar për çka ka ndodhur”, tha komisionerja evropiane për konkurrencën, Margrethe Vestager.
Si rezultat, shtoi ajo, konsumatorët evropianë janë privuar nga mundësia e blerjes së një makine me teknologjinë më të mirë të mundshme. Komisioni tha se një nga teknologjitë ishte e projektuar për të filtruar emetimet në makinat me benzinë ndërsa një tjetër, do të reduktonte emetimet e dëmshme të oksidit të nitrogjenit nga makinat me naftë.
Vetë kompanitë e përmendura nuk kanë komentuar raportin, ndërkohë që është e paqartë për momentin se çfarë masash do të merren ndaj tyre, me mundësinë e një gjobe të majme që duket më e mundshmja.
Top Channel