Brezi koralor më jugor i globit është prekur nga zbardhja këtë verë, thonë shkencëtarët australianë, ndërsa paralajmërojnë se rritja e temperaturës së detit si pasojë e ndryshimeve klimaterike, po prek edhe ekosistemet më të izoluara.

Koralet e ishullit Lord Hou, rreth 600 km larg brigjeve të Sidneit, janë prekur nga temperaturat e larta këtë verë, pavarësisht se i kishin shpëtuar zbardhjes masive që dëmtoi barrierën e madhe koralore në 2016 dhe 2017.

Koralet në ujëra të thella në parkun detar, që mban specie që nuk gjenden askund tjetër dhe që ashtu si barriera e madhe koralore janë pjesë e trashëgimisë botërore, duken sidoqoftë ende në gjendje të mirë.

Zbardhja ndodh kur kushte jo normale të ambientit, si temperatura të larta të ujit të detit, bëjnë që koralet të nxjerrin algat e vogla foto-sintetike, çka edhe i lë ato pa ngjyrë.

Koralet mund ta rimarrin veten nëse temperatura e ujit bie dhe algat janë në gjendje të rikolonizohen. Sidoqoftë, pjesë të mëdha të barrierës koralore, struktura më e madhe në botë, kanë vdekur ose janë dëmtuar si pasojë e eventeve pasuese në 2016 dhe 2017.

Koralet përbëjnë më pak se 1 për qind të ambientit detar të tokës, por në to jeton rreth 25 për qind e jetës marine duke qenë se veprojnë si streha për shumë specie peshqish.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA