Japonia do të ketë një epokë të re, e cila do të filloj kur perandori Akihito të largohet nga froni në fund të muajit. Ajo do të quhet “Reiwa”.
Nuk është një zgjedhje e rastësishme. Emri daton nga shekulli i VII dhe ka dy kuptime: “Rei”, që do të thotë “rregull” dhe “wa”, që përdoret për të treguar “paqe” dhe “harmoni”.
Kryeministri Shinzo Abe e thelloi shpjegimin edhe gjatë një fjalimi të mbajtur përpara kombit, ku tha se ky emër nënkupton që kultura ka lindur teksa njerëzit “kujdesen për njëri-tjetrin”.
Për Japoninë, shpallja e emrit të ri konsiderohet një ngjarje mjaft e rëndësishme, e si e tillë kremtohet me festivale dhe shfaqje speciale.
Largimi nga froni i Akihitos 85-vjeçar në fund të prillit do të bëhet për arsye shëndetësore, gjë që e kthen atë në të parin perandor prej më shumë se dy shekujsh, që zgjedh të tërhiqet.
Pati disa javë spekulimesh dhe negociatash të ethshme për emrin e ri, i cili ndikon mjaft në jetën e përditshme të vendit, sepse tani japonezët presin të shohin se çdo të ndodhë pas ndryshimit të epokës së Akihitos.
Kjo është hera e parë që emri merret nga një poemë e lashtë japoneze, Manyoshu, në një kohë kur deri më tani, për një gjë të tillë përdoreshin referime kineze.
Top Channel