Historia e fundit natën e sotme në programin “Dua të të bëj të lumtur” i’u dedikua një prej dëshmorëve të luftës së Kosovës, “Ushtarit Kavaja”, Indrit Cara.
Në program kishte ardhur komandanti Besim Gashi për të na rrëfyer historinë e Ushtar Kavajës dhe për të falenderuar babain e Indritit, Lulëzimin.
Indriti kishte lindur në Kavajë dhe kishte përfunduar shkollën e mesme “Skënderbej” dhe më pas kishte vazhduar studimet e larta për officer. Pas rënies së diktaturës në Shqipëri, si shumë shqiptarë Indriti kishte emigruar në Angli për një jetë më të mirë. Gjatë kohës që punonte në Angli ishte njohur me disa shqiptarë të Kosovës dhe kur lufta kishte nisur, Indriti kishte vendosur që t’i bashkohej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në studio Komandant Gashi rrëfeu njohjen me Indritin dhe kujtimet që kishte me të. Ai shtoi se Indriti ishte një djalë tepër inteligjent dhe trim. Komandanti kishte ftuar babain e Indritit, zotin Lulëzim për ta falenderuar që kishte rritur një djalë si ai. “Dua të të tregoj se qëllimi për të cilin Indriti ra dëshmor është realizuar dhe vazhdon të forcohet çdo ditë. Ne jemi mirënjohës përjetë juve dhe veprës që ka bërë djali juaj. Jam krenar që kam pasur nderin të takoj Indritin dhe jam krenar që kam marr pjesë të luftoj krah për krah me të.”,- u shpreh Komandant Gashi.
I ftuar në studio ishte dhe drejtori i Fondacionit “Golden Eagle”, Shaqir Palushi, i cili i dhuroi një apartament në qytetin e Kavajës familjes së Indritit. Gjithashtu ai u shpreh: “Kam ardhur që t’ju jap sot një mesazh nga ana ime, por edhe nga qytetarët e Suarekës. Të falenderoj që ke rritur një djalë trim me frymë patriotike si Indriti. Të falenderoj që djalin tënd ja fale Kosovës. Gjaku i dëshmorëve është sot liria e Kosovës dhe dua që të dish se të gjitha shtëpitë e Suarekës janë shtëpitë e tua.”
Top Channel