Gjiganti kinez i telekomunikacionit, Huawei thotë se të ardhurat e tij kanë kapur shifrën e 100 miliardë dollarëve në vitin 2018, pavarësisht fushatës së udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara kundër biznesit, nën pretekstin se ai përbën një kërcënim për sigurinë.
Kompania tha se të ardhurat për 2018-n arritën në mbi 100 miliardë dollarë, ndërsa fitimi neto u rrit me 25 për qind. SHBA dhe vende të tjera e kanë ndaluar kompaninë, për shkak të shqetësimeve se lidhjet e saj me Pekinin përbëjnë një kërcënim për sigurinë.
Huawei thotë se është e pavarur dhe mohon akuzat se produktet e saj përbëjnë rrezik sigurie. Kompania me bazë në Shenzhen tha se të ardhurat globale u rritën me 19.5 për qind në vitin 2018, ritmi më i shpejtë i rritjes ky në dy vitet e fundit.
Rezultati është mbështetur edhe nga shitjet e kënaqshme të “smartphone”-ve në Kinë. Në të njëjtën kohë, edhe dega e shitjeve për infrastrukturën e telekomit në vendet e botës është rritur me 1.3 për qind.
Huawei është prodhuesi më i madh në botë i pajisjeve të telekomit. Sidoqoftë, ai përballet me një rezistencë të fortë nga vendet perëndimore, për shqetësimet mbi sigurinë e produkteve të tij të përdorura në rrjetet e gjeneratës së ardhshme 5G.
SHBA, Australia dhe Zelanda e Re kanë ndaluar kompanitë lokale të përdorin Huawein për sigurimin e teknologjisë për rrjetet e tyre 5G.
Top Channel