Shkëlqim Prini ishte i ftuar pasditen e kësaj të premteje në studion e “Ftesë në Pesë” me Bieta Sulon, për të ndarë historinë e tij të pazakontë.
Shpërthimi i fuqishëm në Gërdec, atje ku ai jetonte e punonte, i mori nga jeta të fejuarën 18-vjeçare, i plagosi keq të ëmën dhe padyshim e la edhe të papunë.
Asokohe, ai ishte një 21-vjeçar që kishte humbur shpresën dhe kishte kaluar në një gjendje të vështirë psikologjike, por zgjedhja që bëri familja për ta martuar vetëm pak muaj më vonë i ndryshoi tërësisht jetën.
Shkëlqimi tregoi se, për të siguruar jetesën ka provuar punë të ndryshme dhe i ka hapur vetes gjithnjë sfida, edhe pse një pjesë e mirë e tyre nuk kanë pasur sukses.
Pas tentativave të shumta, 32-vjeçari pranoi se shpëtimin e gjeti te libri. Edhe pse kishte vetëm 7 klasë shkollë, leximi u bë udhërrëfyesi i jetës së tij.
Sot ai është një bashkëshort i lumtur, baba i 3 vajzave, ka një punë të tijën dhe mbi të gjitha është shembulli se jeta vazhdon, pavarësisht të shkuarës së hidhur.
Top Channel