Kur duhen edhe dy muaj nga fundi i sezonit në kampionatet kryesore europiane, ka shumë skuadra të rëndësishme në kontinentin e vjetër që kërkojnë të ndryshojnë drejtimin teknik.

I paevitueshëm është fakti, që edhe trajnerët më të mirë të hyjnë në negociata me klube, të cilat më parë mendonin se fati nuk do t’iua kryqëzonte rrugët.

Jose Mourinho është një prej “të papunëve” që ngjall më shumë dëshirë në gjigantët e futbollit, e së fundmi, emri i tij po lakohet për pankinën e Bayern Munchen.

“Special One” deklaroi së fundmi se do të rikthehet në qershor, e se për këtë do të vendosin dy kritere: niveli i empatisë që ka për klubin e ardhshëm dhe projekti që duhet të jetë ambicioz.

Pikërisht për këtë, Bayern po mendon të bindë portugezin që ta ulë në stolin e gjermanëve, pas një sezoni me oshilacione dhe zhgënjyes nën drejtimin e Niko Kovaç. Bavarezët synojnë të shpenzojnë shumë për t’u rikthyer në majën e elitës së futbollit europian, madje po e bëjnë këtë me goditje si Lukas Hernandez, ende pa u mbyllur sezoni.

Drejtuesit e klubit të Bundesligës do t’i garantojnë portugezit një çek të bardhë dhe mundësinë për të zgjedhur stafin teknik.

Top Channel