Bayerni i Mynihut nuk përmbahet në merkaton e transferimeve. Pasi bleu Pavard nga Stuttgarti, klubi bavarez bëri të ditur edhe blerjen e Lucas Hernandez nga Atletico Madrid për të cilin pagoi 80 milionë Euro, për të vendosur edhe një rekord me 115 milionë Euro të shpenzuara në muajin mars për blerjen e 2 mbrojtësve të krahut.
Zyrtarizimi i blerjes së Lucas Hernandez u bë nëpërmjet rrjetit social Twitter ku theksohet se futbollisti nënshkroi me kampionët e Gjermanisë një kontratë 5 vjeçare.
‘Jam i lumtur qe Lucas Hernandez firmosi me ne, bëhet fjalë për një prej mbrojtësve kampionë te botës-tha Drejtori Sportiv i Bayernit Hasan Salihamidzic-mund të luajë në rolin e qendërmbrojtësit dhe të atij të mbrojtësit të majtë.
Por ky transferim është pak i njollosur nga problemet në ligamentet e gjurit të djathtë të futbollistit që sipas stafit mjekësor të Bayernit të Mynihut do të zgjidhen nëpërmjet ndërhyrjes kirurgjikale, një operacion që Hernandez do ta kryejë menjëherë, kjo edhe pas një akordi të arritur mes Bayernit dhe Atletico Madrid.
Ndërkaq, vetë Lucas Hernandez foli për kalimin e tij në Bundesligë të cilin e konsideroi si një hap të rëndësishëm për karrierën e tij pasi Bayerni është një prej klubeve më të mirë në Evropë dhe në botë, sigurisht pa harruar të falenderojë edhe Atleticon e Madridit.
Top Channel