Në kremtim të 30-vjetorit të piramidës së Luvrit, artisti francez i rrugës “JR” ka ftuar me qindra vullnetarë ta ndihmojnë, që të mbulojë kopshtin përreth muzeut me një kolazh gjigant misterioz, qëllimi i të cilit është të përshkruajë “sekretin e piramidës së madhe”.
Instalacioni duhet të përfundojë deri të premten dhe do të mbulojë të gjithë zonën. 400 vullnetarët pjesëmarrës do të punojnë me turne, në grupe prej 50 personash, për vendosjen e rripave që duhet të krijojnë një imazh gjigant.
“Kjo ishte ajo që na pëlqeu më shumë në projektin e propozuar nga ‘JR’: pjesëmarrja dhe përmasat e bashkëpunimit. Na tërhoqi entuziazmi, dinamizmi dhe dëshira e njerëzve për t’u bërë pjesë e kësaj nisme”, tha Adel Ziane, PR në Luvër.
Eksperti me famë botërore i kolazheve i ka ftuar që nga mesi i marsit mbështetësit e tij, përmes një platforme “online”, që të merrnin pjesë në realizimin e idesë së vet.
Në vitin 2016, ai e kishte bërë piramidën gjoja të zhdukej, e tani propozon ta nxjerrë nga toka duke zbuluar njëkohësisht sekretin e saj, në atë që e konsideron si “kolazhin e tij më të madh”.
Tre vite më parë, artisti realizoi në sipërfaqen e piramidës një riprodhim të fasadës së Luvrit, që krijonte një iluzion optik, duke e maskuar atë e duke bërë të dukej sikur nuk ekzistonte.
Top Channel