UEFA vendosi të hapë një procedim disiplinor për Malin e Zi, fajtor për sjellje raciste në dëm të futbollistëve anglezë, në ndeshjen që përfaqësuesja ballkanase zhvilloi në Podgoricë ndaj ishullorëve.
Ekipi vendas akuzohet për përdorim të paligjshëm të fishekzjarreve, hedhje të sendeve të forta në fushë, thyerjen e rregullave të sigurisë, por mbi të gjitha për koret ofenduese ndaj lojtarëve me ngjyrë të Anglisë.
Çështja do të analizohet nga Komisioni i Disiplinës më 16 maj, e për bazë do të merret raporti i arbitrit kryesor dhe delegatit të ndeshjes, e cila përfundoi 1-5 për përfaqësuesen e trajnerit Southgate. Ky i fundit ishte i pari që denoncoi parullat dhe koret raciste nga huliganët malazezë.
Regullorja specifikon qartë se, në rast të sjelljeve raciste nga tifozët, minimumi i dënimit është mbyllja e pjesshme e stadiumit, por në raste më të rënda aplikohet edhe zhvillimi i ndeshjes pa tifozë.
Raheem Sterling, Calum Hodson Odoy dhe Danny Rose ishin futbollistët anglezë, që u përballën më së shumti me ofendimet. Nëse Mali i Zi do të dënohet në muajin maj, atëherë do ta luajë ndeshjen e radhës pa tifozë, e si për ironi të fatit përballja e radhës është ajo ndaj Kosovës.
Përballja e përfaqësueses së Challandes në Podgoricë është programuar të luhet më 7 qershor, e nëse luhet pa tifozë, Kosova do të ketë një ndihmë të madhe për të marrë pikë.
Top Channel