Katër adoleshentë ngjiten në majë të një lloj shtylle, lidhin veten me litarë dhe hidhen me kokë në ajër.
Kjo nuk është sfida më e fundit e shpallur në mediet sociale, por “Danza de los Voladores”, apo “Vallëzimi i fluturakëve”, një ritual i hershëm 4.000-vjeçar që praktikohet nga “Totonakët” në Meksikën qendrore, e që vazhdojnë të luftojnë për të mbajtur gjallë traditën pavarësisht se po i japin asaj edhe ndonjë prekje të vogël moderne.
Duke u rrotulluar përreth shtyllës, me kokën poshtë në ajër, 4 valltarët zbresin ngadalë drejt tokës. Një valltar i pestë qëndron mbi shtyllën 30 metra të lartë, duke shërbyer si balancues. E gjithë kjo ka një domethënie të thellë për popullin “Totonak”, që kërcente për t’iu kërkuar zotave shi dhe begati. Por, në vitin 2019, të rrotullohesh me kokën poshtë në një lartësi 30 metra nuk është diçka që mund ta bëjë kushdo, ndaj është hapur një shkollë e posaçme.
“Prindërit dhe gjyshërit e mi ishin fluturues dhe e gjithë kjo më tërhoqi shumë, saqë fillova të vija këtu për të mësuar gjithçka për vallëzimin fluturues”, tha Eugenio San Martin Villanueva, nxënës.
Rituali është përfshirë nga UNESCO në listën e trashëgimive kulturore botërore. Nxënësit e shkollës, përveç mbajtjes gjallë të tij, performojnë tashmë edhe në vende të tjera të botës, si për shembull në Britani, Francë, Zvicër, Itali dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Top Channel