Ka startuar sot rruga drejt Euro 2020, me sfidat e para eliminatore, ndërsa surpriza e vetme duket se ka ardhur nga Kazakistani, me vendasit që kanë mposhtur bindshëm Skocinë, me rezultatin 3-0.

Edhe nënkampionia e botës, Kroacia vuajti jo pak, por ia doli të nisë edicionin me fitore, duke mposhtur Azerbajxhanin me rezultatin 2-1. Kroatët e panë veten në disavantazh në minutën e 19’, pas golit të Sheydaev, por rikthyen baraspeshën në minutat e fundit të pjesës së parë, me anë të mbrojtësit Barisiç dhe 10 minuta para fundit ,shënuan golin e fitores me Kramariç.

Holanda paralajmëroi Gjermaninë për sfidën e pas 3 ditëve, pasi sot mposhti me rezultatin e thellë 4-0 Bjellorusinë. Memphis Depay shënoi dy herë për “tulipanët”, ndërsa dyshja e Liverpoolit Wijnaldum-Van Dijk, plotësuan “festivalin” e golit.

Nuk zhgënjeu as Belgjika, që mposhti Rusinë me rezultatin 3-1, në një sfidë ku Tielemans zhbllokoi rezultatin dhe Eden Hazard shënoi dy herë, pasi Cherishev kishte barazuar përkohësisht. Vlen të theksohet se ylli rus Golovin, la skuadrën me 10 vetë në minutat e fundit, pasi mori kartonin e dytë të verdhë.

Me këmbën e mbarë e nisi këtë edicion edhe Maqedonia e Veriut, që mposhti Letoninë me rezultatin 3-1, në sfidën e zhvilluar në stadiumin “Philipi II Arena” të Shkupit. Shqiptari Alioski zhbllokoi sfidën për maqedonasit, ndërsa sulmuesi i Fenerbahces, Elif Elmas shënoi edhe dy herë të tjera.

Në sfidat e tjera, Irlanda e Veriut mposhti me rezultatin 2-0 Estoninë, Sllovakia triumfoi 2-0 ndaj Hungarisë, ndërsa Izraeli dhe Sllovenia u ndanë në barazim 1-1.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA