Vietnami nis përgatitjet për të pritur një garë të Formulës 1, duke filluar që nga viti i ardhshëm. Në kryeqytetin e vendit, Hanoi, u zhvillua ceremonia e nisjes së këtyre përgatitjeve, ku i pranishëm ishte edhe presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit, Jean Todt.
Ky i fundit deklaroi se Çmimi i Madh i Vietnamit është një mundësi e shkëlqyer për t’u hapur dyert personave të apasionuar pas motorsportit në Azinë Juglindore, e se shpreson që ky turne të sjellë edhe një brez të ri të pilotëve vietnamezë në Formulën 1.
Pista e Hanoit, ku do të zhvillohet Çmimi i Madh i Vietnamit, do të jetë 5.6 km dhe në të do të përfshihen edhe pjesë rrugësh në “My Dinh”, një zonë kjo që është pranë stadiumit kombëtar dhe 13 km larg qendrës së Hanoit.
Organizatorët deklaruan se refuzuan që të zhvillonin këtë garë në zonën historike “Old Quarter” të Hanoit, për shkak të logjistikës dhe kostove shumë të larta. Organizatorët vietnamezë kanë nënshkruar një kontratë 10-vjeçare me drejtuesit e Formulës 1, e sipas medias, kjo garë pritet të ketë një kosto prej 60 milionë dollarësh në vit.
Top Channel