Trajneri i Përfaqësueses së Kosovës, Bernard Challandes e konsideron miqësoren me Danimarkën si testin ideal për të kuptuar më mirë gjendjen ku ndodhet ekipi. Para eliminatoreve me Bullgarinë ku skuadra e tij do të kërkojë pikë jetike, tekniku helvetik u shpreh optimist.

“Kemi patur sukses në Ligën e Kombeve dhe në miqësore, por tani luajmë ndaj ekipeve nga Liga A dhe B dhe kjo është një tjetër garë, një tjetër jetë për skuadrën tonë. Për mua është një fazë interesante, por tani fillojmë nga zero. Kishim mundësi të udhëtonim dhe të luanim ndaj Gjermanisë dhe Argjentinës, por e rëndësishme ishte të luanim në vendin tonë. Fituam 4-0 ndaj Azerbajxhanit, por tani është histori tjetër. Tani kam 3 qëllime: Të testojmë dobësitë tona në mbrojtje, të shikojmë sa mund të mbajmë topin dhe të shënojmë gol”, tha Bernard Challandes Trajner i Kosovës.

Një mungesë e rëndësishme për Kosovën do të jetë mesfushori i Lacios, Valon Berisha.

“Ai është i lënduar dhe skuadra nuk e ka lejuar t’i bashkohej Kosovës, por ne kemi të tjera mundësi. Kemi Celinën, që ka luajtur shumë mirë me Swansea-n, ka dhe mundësi tjera. Jemi në pritje të testeve për Hekuran Kryeziun, besojmë se do të jetë gati për ndeshjen e dytë”, u shpreh Bernard Challandes, trajner i Kosovës.

Challand premtoi prurje të reja në përfaqësuese, por kjo vështirësohet për shkak të zërave të pasaktë në media që krijojnë probleme me lojtarin, familjet dhe agjentët.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA