“Ritfolk” ka qenë një nga grupet e para muzikore që u krijua pas viteve `90. Altin Goci dhe Sajmir Braho prodhuan për vite të tëra hite të padiskutueshme si “Ëndërroj”, “Dëshirë dhe heshtje”, “Drejt fatit tim” të cilat këndohen ende në ditët e sotme njësoj si po ato vite.
I ftuar në “E Diell”, Altin Goci kishte marrë me vete të gjitha letrat e fansave që ai kishte mundur të ruante që nga viti 1994 duke i bërë për herë të parë publike ato.
“I ruaj me shumë fanatizëm” u shpreh ai duke nxjerrë nga një çantë shpine me logon e skuadrës së tij të preferuar “Liverpool”, letrat e fansave.
Janë të gjitha të shkruara me shkrim dore dhe madje në një nga fletoret që një fanse e zjarrtë ma ka dhuruar në atë kohë- vijon kujtimet e tij Altini, unë kam vënë autografin tim”. Goci kujton se në `96-n u krijua “Fans Club-i” i parë shqiptar që u inaguara për rastësi në ditën e lindjes së tij.
Po në të njëjtën kohë, “Ritfolk” promovoi dhe albumin “Drejt fatit tim”. Nga një sy i shpejtë u vu re se letrat vinin thuajse nga e gjithë Shqipëria, ku një pjesë e madhe prej tyre ishin nga qyteti i Elbasanit, Korçës dhe Tiranës. Kantautori i përfshirë nga nostalgjia tha se këto letra i jepnin një emocion të veçantë dhe se i vlerësonte si një nga kujtimet më të bukura që ruante prej publikut shqiptar ndër vite.
Top Channel