Një nga historitë më të mëdha të të gjitha kohërave e dashurisë, me vrullin e një arti rinor e frymëzues, opera “La Boheme” e kompozitorit Giacomo Puccini vjen premierë e dytë e TKOB-së në skenën e Pallatit të Kongreseve.

Produksioni do të jetë me një kast të ri, përgjatë 4 netëve, duke promovuar po ashtu në 90 për qind të stafit, artistët e rinj.

“Është produksioni i parë, i cili i është besuar dhe promovon talentet e reja si asnjëherë tjetër. Ashtu si Puccini ia kushtoi këtë vepër gjeneratës së re, duke i bërë një thirrje të fortë publikut që të kthejë kokën ndaj krijuesve të rinj, të cilët me artin e tyre sakrifikuan çdo gjë. Duke dhënë një art të pastër, të sinqertë, të pakompromis”, tha Zana Çela, drejtore e TKOB.

“Po shfrytëzoj momentin të falënderoj të gjithë ata që janë pas skenës. Pas gjithë kësaj pune kolosale që është bërë. Janë ato gratë, me në krye Ardin te rrobaqepësia, që kanë kaluar net shumë të gjata”, tha Andi Kotri, drejtor i prodhimit të TKOB.

Kjo “Boheme” e kësaj radhe vjen nën regjinë e Ada Gurrës.

“Kemi qenë si një familje e madhe, në të cilën ka pasur edhe diskutime, por edhe përqafime të ideve. Kjo është gjëja më e rëndësishme dhe që të gjithë bashkë kemi punuar shumë fort që të arrijmë një produkt final të një niveli shumë të lartë. Jam e bindur që ata do të jenë që të gjithë të mrekullueshëm, unë besoj shumë fort te talenti i tyre”, tha Ada Gurra, regjisore.

Krahas të rinjve, emra të konsoliduar të Teatrit, si Eva Golemi, Armaldo Kllogjeri dhe Armando Likaj do të jenë pjesë e shfaqjes, si një produksion ndërkombëtar i dirigjuar nga Lorenzo Tazzieri.

“Dua të falënderoj TKOB-në, sepse rruga ime artistike më ka çuar të punoj në shumë vende dhe më duhet të them se, këtu ka një ndjeshmëri të madhe për melodramën italiane dhe në veçanti për Puccinin”, tha Lorenzo Tazzieri, dirigjent.

Premiera do të vijë përgjatë datave 16, 17, 18 dhe 19 mars në Pallatin e Kongreseve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA