I ftuar në emisionin “Open” të gazetares Eni Vasili, në një emision ku flitej për “superdosjet” e denoncuara nga Partia Demokratike kundër qeverisë së kryeministrit Rama, ish-deputeti Ervin Salianji ka denoncuar edhe diçka që ka zbuluar nga fashikujt e dosjes ku akuzohet për kallëzim të rremë.
Në dosjen që heton aktivitetin e Agron Xhafajt, vëllait të ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, pas videopërgjimit që u njoh si rasti “Babale”, sipas pretendimeve të Salianjit ka materiale video që tregojnë se qeveria e kryeministrit Edi Rama monitoron “non stop” selinë e opozitës, ish-SHQUP-in ku është vendosur prej vitesh Partia Demokratike.
“Nëse do të kishte Prokurori, atëherë do të niste menjëherë hetimet”, tha Salianji në studio për materialet që tha se janë publikuar më herët dhe nuk përbëjnë sekret hetimor.
Për videon, që sipas tij vërteton mbikëqyrjen ambientale të selisë së demokratëve, Salianji thotë se gjithçka bëhet nga njësia operacionale e Policisë së Shtetit. Veç videos për selinë e PD-së, Salianji vuri në dispozicion të drejtuesve të emisionit “Open” edhe një foto ku duket sikur survejohet godina e Top Channel në Mëzez të Kasharit, sikurse edhe foto të gazetarëve të tjerë që kanë denoncuar në lidhje me këto dosje.
“Superdosjet” për të cilat është diskutuar këtë të hënë në “Open” ishin ato me numrat “339” dhe “184”, e para e bërë e famshme prej përgjimeve të kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako, me bandën e Avdylajve; ndërsa e dyta me hetimet që nisën për çështjen e blerjes së votës në zgjedhjet në Dibër, që u mbajtën pas shkarkimit të Shukri Xhelilit.
Për videon e publikuar nga Salianji, reagoi përmes Facebookut edhe ish-kryeministri dhe ish-lideri i PD-së, Sali Berisha, duke e konsideruar këtë ngjarje si “super Watergate”.
Top Channel