Vitrina e librit/ Rilindja europiane, betejat për një ungjill të ri

10/03/2019 20:54

Doktrina e evolucionit, nën dritën e së cilës shoqëria jonë njerëzore zhvillohet kohë pas kohe, na mëson se njerëzimi deri në epokën e Rilindjes Europiane kishte vecse trupin dhe shpirtin e një djaloshi dhe vetëm pas kësaj epoke, u zhvillua moralisht dhe fizikisht në atë pikë për të merituar emrin “i rritur”. Këtë pasazh të shkurtër vendosa ta dalloj teksa vizitoja pak kohë më parë Muzeun e Arteve dhe të Kulturës në Nuremberg. Progresi kaq shumë në zhvillim i këtij shekulli kish të bënte së pari me nisjen e një epoke të re teknollogjie apo dhe shpikjen e makinerive që bënë të mundur grumbullimin me vrull të elementeve të shpërndara të dijes, për t’ia bërë të njohur secilit anëtar të komunitetit në qytetet europiane. Në atë kohë sistemi social pati po aq zhvillim prej këtyre arritjeve të mëdha mekanike, të cilat sollën zbulime të mëdha dhe të dobishme, shpjegonte kuratorja e muzeut ndërsa sytë më endeshin në ngjyrat e florinjta të kornizave luksoze që rrethonin portretet e njerzve jo vetëm eminentë të kohës.

Sa herë vizitoj ndonjë muze të këtij lloji, nuk arrij të shkëpus dot nga vëmendja pikërisht këtë epokë ‘të blertë’ historike, nga ku prej gravurave apo fotografive origjinale ndoshta edhe të riprodhuara deri diku, të mund të hartoj me mendjen time një listë përmbledhëse të gjithckaje që shihet në rrugën e një qyteti modern të asaj kohe: trami elektrik, fije telegrafike, postieri i përulur, djemtë që shpërndajnë gazetat, etj. Megjithatë edhe këtu, në mes të këtij qytetërimi kompleks e shumëanësh mendja njerëzore thuajse e terrorizuar nga ajo madhështi materiale të duket se humbet befas, mohon veten dhe sa vjen e dobësohet. Kështu duket të paktën prej gravurave, prej portreteve që spikasin, në një botë që kërkon teknollogjinë për ndihmë. Po përse ndodh kjo? Ndoshta sepse edhe ky materializëm i atyre kohëve të evoluimit shkencor, dhe që rrjedh në vijë të drejtë nga Rilindja, pat nisur të atrofizojë aftësitë shpirtërore të njeriut dhe të topisë mprehtësinë? Cfarë po ndodhte realisht? A mos vallë ishte makina e kohës që duhet të ecte? Dhe nëse pat ngjarë kështu, cfarë kursi duhet të ndërmerrte njeriu para vrullit teknologjik për të ecur para?

Gjithkush që ka njohuri për epokën e Rilindjes Europiane e di se shpirti njerëzor atëkohë luftonte kundër absolutizmit skolastik, kundër sistemit të pamatë filozofik që bazat themelore i kishte te mendimi aristotelian, ndërsa plotnia e diturisë mbështetej tek ideologjia kristiane. Por nëse shpirti njerëzor luftonte kundër këtij sistemi, ai nuk e bënte se ndihej i huaj dhe se kërkonte identitet. Marrëdhënia mes kristianizmit dhe shpirtit njerëzor, duhet ta pranojmë se ishte ëmbëlsisht një marrëdhënie e lehtë dhe aspak tirane. Por ajo cfarë kishte ndodhur ishte e thjeshtë. Kohët evolojnë, shpirtrat po ashtu prekin të tjera dimensione, njohje, bashkime e ngjyra. Kështu kur rebelët e Rilindjes i shpallën popullit të Europës mesjetare se nuk ka më tirani; se vuajtjet e trishtimit njerëzor mund edhe të pastrohen me lindjen e një dielli të ri mëngjesin e ditës tjetër; se faljet nga mëkati mund të mos blihen dhe se indulgjencat mund të grisen pa të cënuar kush, ndoshta atëherë shpirti njerëzor ndjeu magjepsjen e së panjohurës, dëgjoi zërin e botës pamore, të prekshme ku jetohet dhe vdes, ku mëkatohet dhe pendohesh dhe duke e braktisur paqen në të cilën lëngonte, përqafoi Ungjillin e Ri. E braktisi jetën e qetë, paqen që gjente zakonisht të dielave në shtëpinë e Zotit sepse u lodh, u lodh ndoshta prej rregullave të zakonshme të Tij; nga përsosmëria e kudo gjendur që Ai pat krijuar e që s’po kish më dëshirë ta ndiqte pas. Si kundër Emma Bovary, nxitova të ndërpres unë zërin monoton të kuratores që kish filluar prej një ore shpjegimin e saj didaktik. Po, vazhdova me dëshirën për të gjetur ngjashmëri me personazhin romantik të Gustave Flaubert, për të cilën vetë shkrimtari francez, thotë se, ajo Emë jam unë. Gruaja e pasur, shtova unë duke parë drejt syve të cakërryer të gjermanes së urtë që po bënte punën e saj, Emma pra, që u mërzit prej parasë e qetësisë që po i shkatërronin zemrën, ndaj dhe iu turr me pasion tundimeve të jetës. Nuk e di nëse është rasti i duhur për krahasim, tha kuratorja, por meqë ju e adhuroni këtë periudhë me siguri keni të drejtë, megjithëse Emma është e një shekulli apo dy shekujve më vonë. Po, vazhdova me forcë sepse Rilindja pati dhe ajo fazat e saj të zhvillimit. E nëse të duket pak arbitrare të ndjekësh një shembull që jo cdo kush do ta donte ta ndiqte, pa droje e them se dualizmi i Madam Bovary me gjithë atë fund të trishtë të saj reflekton me besnikëri fenomenin e Rilindjes. Por problemi vjen e elaborohet. Pas këtij fundi të trishtë të Emës moderne, realiste, humaniste e romantike cfarë do të thotë në të vërtetë Rilindje? Cfarë fundi paska kjo epokë? Të lumtur apo tragjik? Balzak në një ese të tij shkruan se Rilindja europiane e vendosi gazetarin në katedralen e murgut duke hedhur poshtë një mënyrë të menduari akut, të kufizuar e formal për t’i dhënë skeptrin një mentaliteti të lehtë dhe të shtrirë, ofroi një mënyrë të menduari të shqetësuar të botës. Prej veprave që kemi lexuar ndër duar, prej vëzhgimit që kemi hedhur në muzetë europianë, prej vizitave në qytetet historike të tyre, në ballkonet e të cilave sot ende varen lulet e mollës, kumbullës dhe jaseminët ngjyrë vjollcë kuptojmë se sa e fuqishme ka qenë forca krijuese e atyre njerzve, pasioni i gjallë e i flaktë, dëshira e thekshme për të parë dhe dëgjuar, kurioziteti i gjatë e i shpenguar që do të sillte në shekujt më vonë një ndjeshmëri frenetike të shpirtit njerëzor. Fuqia ndjesore e tij u zhvillua së tepërmi, por ajo duhet thënë se u kultivua më tej në kurriz të aftësive shpirtërore. Po t’i hedhësh një vështrim të thellë asaj epoke në art, thuajse mungon krejtësisht morali dhe imagjinata. Po cfarë atëherë i solli botës Rilindja me pak fjalë, të cilën e adhurojmë aq shumë? Pyetja është komplekse por ajo cfarë përmblidhet në përgjigjen që na duhet, është kaq e saktë sa më poshtë lexova në një prej faqeve të albumit që muzeu e shpërndante për vizitorët e tij: Një artist duke dashur t’i vendosë muzikë ndjenjës së dashurisë riprodhon cdo rrahje, cdo dridhmë, emocionin më të vogël apo dhe psherëtimën më të lehtë, dashuron ndërsa ka mizori, vuan ndërsa ka kënaqësi e ky është vetëm një artist i rilindjes, i asaj rilindje që la pas rregullat kanonike të ideologjisë mesjetare kishtare për një Ungjill të Ri.

Tristani dhe Izolda e Vagnerit, thotë kuratorja, a nuk është kështu? Kultura e Rilindjes europiane pati një qëllim krej tjetër; ajo solli një babëzitje për detaje. Sepse Rilindja erdhi kur arti po vuante prej përsosmërisë së formës ndërsa mendimi po humbte në hollësi të kota. Mesjeta e kish privuar shpirtin prej lirisë së fluturimit dhe arti ishte katandisur në një ushtrim matematikor, bazuar mbi formula në simbole njerëzore. Ndaj në mes të kësaj zagushie, Rilindja erdhi si një uragan në gjithë Europën me një oshëtimë zërash që iu bashkuan sakaq.

MONIKA STAFA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA