Personi që goditi një ditë më parë me gur në kokë efektivin e FNSH-së gjatë protestës së opozitës në Fier është punonjës i Bashkisë se Mallakastrës, e cila drejtohet nga Partia Demokratike.
Policia e Fierit e arrestoi 56-vjeçarin nga Ballshi, me detyrë inspektor i Mjedisit. Policia thotë se identifikimi i tij u bë pas analizimit të pamjeve filmike dhe provave të tjera të mbledhura.
Ndërkohë, në vijim të veprimeve të kryera, Policia e Fierit ka proceduar penalisht në gjendje të lirë edhe 10 shtetas, si edhe janë shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e dy personave të tjerë.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprat penale “Kundërshtim me dhunë i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Goditje për shkak të detyrës” dhe “Organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”.
Top Channel