Monica Macovei, Kryetarja e Delegacionit të PE në Komisionin Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri, e cilëson të gabuar sjelljen e opozitës, duke theksuar se kjo po e pengon të ardhmen evropiane të vendit.

Në reagim thuhet se Shqipëria po përparon me hapa të shpejtë drejt Bashkimit Evropian, duke vlerësuar avancimin në Reformën në Drejtësi.

“Në cilësinë e Kryetarit të Delegacionit të PE në Komisionin Parlamentar të Stabilizim Asociimit BE-Shqipëri, unë besoj fuqishëm se Shqipëria po përparon drejt pranimit në BE dhe zbatimin e axhendës së reformave të BE. Unë besoj se qeveria e tanishme është në rrugën e duhur në transformimin e sistemit të drejtësisë në vend. Reforma e drejtësisë ka prodhuar rezultate të prekshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, shprehet Macovei.

Por sipas saj, veprimet më të fundit të opozitës rrezikojnë të rrënojnë ritmin e reformave të tilla dhe po dërgojnë mesazhin e gabuar te partnerët evropianë.

“Episodet e dhunshme në të cilat opozita ka sulmuar institucionet publike, si dhe gjuha që nxit dhunën e përdorur nga udhëheqësit e opozitës janë të papranueshme për çdo demokraci evropiane. Kjo është edhe më e rastësishme duke pasur parasysh statusin e vendit kandidat të Shqipërisë dhe vendimin e ardhshëm për të hapur apo jo negociatat e pranimit”, shton Macovei.

Më tej ajo i ka bërë serish thirrje opozitës që të rikthehet rrugës legjitime të diskutimit politik, që është Parlamenti.

“Parlamenti shqiptar duhet të jetë platforma e vetme për diskutim politik. Deputetët e opozitës kanë tradhtuar votuesit e tyre duke hequr dorë nga mandatet e tyre dhe kanë provuar se opozita nuk po punon drejt afrimit të Shqipërisë me BE. Pas zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2017 dhe raporteve të OSBE / ODHIR, si dhe vëzhguesve të tjerë nga vendet anëtare të BE-së, ne konsiderojmë që Parlamenti dhe qeveria shqiptare është plotësisht legjitime”, thuhet në reagimin e saj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA