Ylli i Prodigy, Keith Flint, i famshëm për hitin e viteve `90 “Firestarter”, u gjet i pajetë në shtëpinë e tij në moshën 49-vjeçare.
Performancat energjike dhe flokët në stilin “punk” e kthyen shumë shpejt Keithin në njërin prej personazheve lehtësisht të identifikueshëm në botë. Policia ende nuk i ka treguar shkaqet e kësaj vdekjeje.
Flint ishte kthyer së fundi në Mbretërinë e Bashkuar pas një turneu në Australi dhe në muajin maj duhet të niste një turne në SHBA. Interesante është se grupit Prodigy ai i ishte bashkuar fillimisht si kërcimtar, por më pas arriti të shndërrohet në figurën kryesore të tij. Përveç atij debutues në vitin 1992, të shtatë albumet e grupit kanë arritur numrin 1 në renditje në Britani. Më i fundit prej tyre ishte “No Tourists”, i publikuar nëntorin e vitit 2018.
Flint ka qenë vokalisti i dy prej “single”-ave më të famshëm të Prodigy, “Breathe” dhe “Firestarter”, hiti më i madh i grupit muzikor në Shtetet e Bashkuara. Homazhet kanë vërshuar për të nga artistë të tjerë, përfshirë Ed Simons të Chemical Brothers, i cili e quajti “një njeri të jashtëzakonshëm”.
Top Channel