Qoftë nëse vishesh si sirenë, si frut gjigand tropikal apo mban në kokë ndonjë turban të stilit faraonik, asnjë kostum i përdorur në karnavalet e famshme të Rio de Zhaneiros nuk mund të konsiderohet i plotësuar pa një dozë të lartë pluhuri shkëlqyes.
Duke ndjekur megjithatë trendin global, mjaft adhurues të festës Momo, siç njihet ndryshe, janë ndërgjegjësuar për problemin që paraqesin për njerëzimin 8 milionë tonë plastikë të hedhura çdo vit nëpër oqeanet e planetit. Për këtë arsye, janë përpjekur të ofrojnë ndihmesën e tyre modeste duke preferuar pluhurin ekologjik, me qëllimin që të reduktojnë impaktin ndotës në ambient.
Frances Sansao, krijuese e Pura Bioglitter, shprehet: “Kam përdorur gjithmonë doza të tmerrshme pluhuri shkëlqyes në karnavale, lyhesha e gjitha në pluhur, por pastaj zbulova se ai kishte në përbërje plastikë dhe alumin. Atëherë mendova se duhet të bëj diçka për ta përmirësuar këtë gjë”.
Frances krijoi përpara dy vjetësh Pura Bioglitter, një prej shkëlqyesve të parë biodegradabël në Brazil. Formula e saj bazohet tek algat e detit dhe pluhuri mika me shkëlqim, e duke qenë se nuk ka materiale të dëmshme, është më e butë dhe e pranueshme për lëkurën. Ky lloj shkëlqyesi shpërbëhet pas tre ditësh dhe kthehet në gjendjen e tij natyrore.
Top Channel