Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ishte i ftuar në Samitin e Dytë të Diasporës shqiptare, të organizuar nën kujdesin e kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko.
Teksa shprehu kënaqësinë për pjesëmarrjen në këtë kongres të dytë, siç e quajti ai, Thaçi tha se të gjithë kanë qenë për pak kohë në diasporë, por ja që kanë vendosur të kthehen “për të drejtuar vendet tona” drejt një të ardhmeje më të mirë për të gjithë shqiptarët.
Pikërisht për këtë, Thaçi theksoi se duhet të fuqizojnë reformat për të ecur para drejt integrimit, ndërsa përshëndeti për një arritje të tillë kreun e BDI-së në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, për rolin e luajtur në arritjen e marrëveshjes historike me Greqinë.
“Megjithëse Kosova ka edhe kundërshtarë që e ngadalësojnë progresin shpreh bindjen se Kosova është në rrugën e sigurtë drejt perspektivës euroatlantike. Pas shumë përpjekjesh kemi arritur të themelojmë ushtrinë e Kosovës, e cila do të jetë një ushtri paqeje dhe shumetnike. Jemi në momentin kur Kosova përgatitet për të hyrë në dialogun përfundimtar me Serbinë. Ne duam një marrëveshje gjithëpërfshirëse që do të garantojë njohjen reciproke”, tha Hashim Thaçi.
Më tej, presidenti i Kosovës dha disa detaje mbi thashethemet që po qarkullojnë në këtë moment historik për vendin e dytë të shqiptarëve.
“Nuk do të lejojmë organizimin e një konference ku do të marrë pjesë edhe Rusia. Në asnjë rrethanë nuk do të lejojmë që të qarkullojnë ide për një union ballkanik, pasi ideja për një union të tillë është një hap mbrapa për kombin shqiptar. Unë një gjë premtoj sot: Shkëmbim territoresh nuk do të ketë kurrë, pasi ky është pazar. Kushdo që kërkon shkëmbim territoresh do të duhet të kalojë mbi trupin tim. Nuk kemi për të lejuar cënimin e asnjë milimetri tokë të Kosovës, por njëkohësisht, askush nuk më ndalon mua të interesohem për të drejtat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës për të na u bashkuar neve, në territorin e Kosovës”, tha Hashim Thaçi.
Në fjalën e tij, partneri qeveritar në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti theksoi se pikërisht nga mërgata, apo diaspora kanë nisur momentet më të rëndësishme historike të kombit shqiptar.
Ali Ahmeti diaspora kanë nisur momentet më të rëndësishme historike
“Momentet më të rëndësishme historike, rrjedhat i kanë pasur nga mërgata. Pavarësia e Shqipërisë me Ismail Qemalin u organizua nga mërgata, sikurse Ushtria Çlirimtare e Kosovës u ushqye nga mërgata”, tha Ahmeti.
Top Channel