Ministri i Jashtëm në detyrë i Shqipërisë, Gent Cakaj është takuar në Shkup me ministrin e Jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Nikolla Dimitrov.

Cakaj ka thënë se vizita e tij është më tepër simbolike, por edhe shprehje e domosdoshmërisë së thellimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve: “Gjatë kësaj periudhe Shqipëria ka mbështetur Marrëveshjen e Prespës dhe Kuvendi ynë ka miratuar ndër të parët protokollin qasës. Shqiptarët në Maqedoni kane qenë faktor shtetformues që nga Marrëveshja e Ohrit e deri te arritja e Marrëveshjes së Prespës. Mirëpresim vendimin për ligjin e gjuhës shqipe”.

Ndërkohë, Dimitrov ka deklaruar se kanë biseduar për çështjet e rajonit: “Falënderova për shpejtësinë që Kuvendi i Shqipërisë tregoi në ratifikimin e protokollit për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO. Folëm edhe për situatën në rajon. Suksesi i një shteti në rajon nënkupton sukses për të gjithë rajonin”.

Një ditë më parë, ministri në detyrë Cakaj u takua me liderët e partive shqiptare, Kryetarin e BDI-së Ali Ahmeti, Kryetarin e PDSH-së Menduh Thaçi, Kryetarin e Lëvizjes BESA Bilal Kasami, Kryetarin e Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela, si dhe me Kryetarin e Partisë Alternativa, Afrim Gashi.

Në këto takime diskutimet u përqendruan në hapat pozitivë që Maqedonia e Veriut ka shënuar së fundi, falë kontributit të pazëvendësueshëm të faktorit shqiptar, në proceset integruese Euro-Atlantike.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA