Eksperti i Fondacionit Konrad Adenauer për Ballkanin Perëndimor, Florian Feyerabend, në intervistë ekskluzive për DW, flet per situaten ne vend, per detyren e opozites dhe ate qe duhet te deshmoje Qeveria, duke pranuar se te dyja kane pergjegjesi per te ardhmen e vendit.
Deutsche Welle: Zoti Feyerabend, fondacioni juaj e konsulton rregullisht Partinë Demokratike në Shqipëri. Deputetët e kësaj partie tashmë janë larguar përfundimisht nga parlamenti dhe i kanë dorëzuar mandatet e tyre. A jeni dakord ju me këtë hap?
Florian Feyerabend: Shqipëria ka nisur shumë reforma gjatë viteve më të fundit. Por ka pasur dhe abuzime dhe shumë mangësi, për të cilat opozita ka folur shpesh në muajt e fundit, siç janë problemet me Krimin e Organizuar, skandalet me korrupsion, blerjen e votave, kufizimi i lirisë së medias, mosveprimet në politikat arsimore dhe mosrespektimi i të drejtave të opozitës parlamentare. Qytetarët dhe sidomos të rinjtë janë shumë të pakënaqur dhe të zhgënjyer, siç e dëshmuan edhe protestat studentore në dhjetor. Opozita e sheh veten edhe si zëdhënëse të kësaj pakënaqësie të përgjithshme, e cila u pasqyrua edhe në numrin e madh të pjesëmarrësve në protestat e 16 dhe 21 shkurtit. Nuk ka asnjë dyshim që gara politike duhet të jetë një garë për idetë më të mira për zgjidhjen e sfidave dhe problemeve. Në një demokraci parlamentare vendi i përballjes me probleme të këtij lloji duhet të jetë parlamenti. Për këtë nuk ka asnjë dyshim. Por, nisur nga sfidat e mëdha që ka përballë Shqipëria, nisur edhe nga çelja e mundshme e negociatave me BE-në, që është paraparë në shtator, është e domosdoshme që parlamenti të jetë funksionues, e të kryejë funksionin e tij kontrollues mbi qeverinë. Jo vetëm qeveria, por edhe opozita duhet të mbajë përgjegjësi për të ardhmen e Shqipërisë. Për Partinë Demokratike dhe partitë e tjera opozitare shtrohej pyetja se si mund ta ushtronin ato këtë përgjegjësi parlamentare pa shërbyer si gjethe fiku demokratike për një qeveri, të cilën ato e akuzonin për manipulim zgjedhjesh dhe lidhje me Krimin e Organizuar.
Shumë aktorë ndërkombëtarë e kanë kritikuar këtë hap të opozitës. Por ka edhe shumë zëra në Shqipëri që i akuzojnë vëzhguesit ndërkombëtarë për mosnjohje të situatës, ose për mosinteresim, sepse nuk duan që të kenë një vend tjetër të paqëndrueshëm në rajon. Ka diçka të vërtetë këtu?
Stabiliteti aftagjatë dhe zhvillimi i qëndrueshëm realizohen vetëm me procese transformuese gjithëpërfshirëse. Të mbyllësh sytë para problemeve dhe mangësive faktike do të ishte e gabuar. Dhe pikërisht kjo detyrë i takon sidomos opozitës, si organ kontrollues i qeverisë. Por edhe ne, si fondacion politik krijojmë një tablo më të diferencuar duke shkëmbyer pikëpamjet me përfaqësuesit e politikës dhe shoqërisë civile dhe duke i ndarë këto përshtypje dhe vlerësime me Berlinin dhe Brukselin. Nuk është gjithçka vetëm e bardhë ose e zezë!
Besoni se duke pasur parasysh situatën aktuale, grupi parlamentar i CDU / CSU-së në Bundestag do të japë dritën e gjelbër për hapjen e negociatave?
Ne as nuk mund ta parashikojmë vendimin e grupit parlamentar të CDU / CSU-së e as nuk mund të flasim në emër të tij. Megjithatë është e qartë se grupi parlamentar do të vendosë në bazë të përparimit të reformave të bëra. Kohët e fundit, grupi parlamentar – i cili ka ngritur enkas një grup pune për Ballkanin Perëndimor – zhvilloi në Shqipëri një udhëtim për mbledhje faktesh. Përsëri, rezultati nuk ishte i zi apo i bardhë, por gri e errët: Me përjashtim të vetting-ut të gjyqtarëve dhe prokurorëve më të lartë, nuk është realizuar ndonjë progres i dukshëm në krahasim me qershorin e vitit 2018. Në interes të qytetarëve të Shqipërisë mbetet shumë për të bërë! Jo vetëm për të arritur çeljen e negociatave me BE-në, e cila do të jetë vetëm guri i parë i kilometrazhit në procesin ambicioz të anëtarësimit – por edhe sepse reformat janë në të mirë të popullsisë së Shqipërisë. Reformat nuk bëhen për hir të reformave! Edhe nëse Bundestagu Gjerman – në qershor, ose ndoshta në shtator – do të japë dritë jeshile, ka ende 26 shtete të tjera anëtare të BE-së që duhen bindur. Qeveria aktuale duhet, pra, të dëshmojë me prova se po bën përpjekje serioze për reformat. Në interes të popullsisë shqiptare, pra nuk ka kohë për të humbur.
Kryeministri shqiptar Edi Rama ka folur kohët e fundit për bashkimin e shqiptarëve. Si vëzhgues gjerman, çfarë kuptoni ju me këtë dhe me çfarë ndjenjash e shikoni këtë zhvillim?
Ëndrrat për mbretëri të mëdha etnike – Shqipëria e Madhe ose Serbia e Madhe ose Kroacia e Madhe – në shekullin e 21-të duhet t’i takojnë së kaluarës. Se çfarë dëmesh dhe pasojash negative mund të shkaktojnë ëndrra të tilla, e kemi parë pikërisht në Ballkan kur në vitet 1990 qindra mijëra njerëz i paguan ato me jetën e tyre. Por kur për himera të tilla jo vetëm ëndërrohet, por edhe flitet seriozisht, atëherë ne këtë e shohim me shqetësim të madh. Kundërmodeli i politikës etnonacionaliste është projekti i përbashkët i Bashkimit Evropian!
Diskutimi që bëhet në Shqipëri për këtë çështje nuk kuptohet si një ëndërr nacionaliste kundër popujve të tjerë të rajonit, por për të bashkuar diçka që – sipas shumë shqiptarëve – i takon të jetë tok, ngjashëm me bashkimin e Gjermanisë në vitin 1990. Një federatë e tillë mes Kosovës dhe Shqipërisë, e cila do të synonte patjetër edhe anëtarësimin në BE, me afro pesë a gjashtë milionë banorë, nuk do të ishte as shteti më madh i rajonit. Çfarë do të fliste kundër kësaj?
Krahasimi me ribashkimin gjerman në vitin 1990 çalon në shumë drejtime. Unë nuk dua të bëj ndonjë analogji të mëtejshme për shkak të kontekstit të veçantë historik, rajonal dhe politik. Një gjë është e qartë: të luash me idenë e ndryshimit të kufijve në Ballkan është si të luash me zjarrin, veçanërisht kur këto ndryshime bëhen mbi bazën e përkatësisë etnike. Pasojat mbi balancën e pushtetit në rajon, impakti mbi shtetësitë e fqinjëve dhe mbi bashkëjetesën sociale të këtyre vendeve – çfarë do të ndodhte për shembull me shqiptarët në Maqedoni? – janë të paparashikueshme dhe ato do të shtonin vetvetiu frikërat historike nga njëra anë dhe aspiratat etnonacionaliste në vendet fqinjë, nga ana tjetër. Do të hapej Kutia e Pandorës dhe do të bëhej një politikë në frymën e viteve ’90. Pasojat tragjike të kësaj politike janë të njohura. Unë gjithashtu nuk njoh ndonjë sondazh, prej nga del se qytetarët i japin rëndësi krijimit të mbretërive të mëdha etnike. Ajo që njerëzit me të vërtetë presin nga politika nuk janë lojërat cinike me iluzione nacionaliste, por zgjidhja e problemeve konkrete në vend – luftimi i korrupsionit dhe i krimit, hapja e vendeve të punës, e perspektivave të zhvillimit të ekonomisë dhe e një të ardhmeje evropiane. Nëse kjo nuk realizohet, për shkak të paaftësisë ose mungesës së vullnetit, atëherë njerëzit do të votojnë me këmbë, pra, duke u larguar dhe himerat e mbretërive të mëdha etnike do të jenë vende pa popullsi.
Si e gjykoni ju rolin aktual të Shqipërisë në zgjidhjen e çështjes së Kosovës? Çfarë do të prisnit nga Shqipëria tani që dialogu është në fazën përfundimtare?
Qarkullojnë shumë thashetheme, disa prej të cilave ndoshta të vërteta, që i atribuojnë kryeministrit shqiptar Edi Rama një rol të rëndësishëm në diskutimin e shumëpërfolur aktualisht mbi korrigjimin e kufijve ose ndërrimin e territoreve midis Kosovës dhe Serbisë. Dialogu i udhëhequr nga BE-ja midis shteteve sovrane Kosovë dhe Serbi ka si qëllim normalizimin e marrëdhënieve. Shumë babo e mbytin fëmijën, e nganjëherë duhet të kalojë ca kohë derisa të vijë momenti i përshtatshëm. Pra, në këtë fazë përfundimtare, do të ishte më e dëshirueshme sjellja e rezervuar, sesa ngutja e panevojshme.
Kosova është e gatshme t’i anulojë tarifat doganore ndaj prodhimeve serbe vetëm nëse merr garancinë e njohjes nga Serbia. Serbia, nga ana tjetër, është gatshme për negociata vetëm pas heqjes së tarifave doganore. Si mund të dilet nga ky pat?
Ndonëse janë të kuptueshme frustrimi apo edhe zemërimi i Qeverisë së Kosovës për praktikat e politikës së jashtme serbe – pengimi i anëtarësimit në Interpol, presioni ndaj disa vendeve për të anuluar njohjen e Kosovës – vendosja e tarifave ka qenë një vendim në kundërshtim me parimet e Procesit të Berlinit, me Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore dhe me frymën e procesit të normalizimit. Pjesa më e madhe e shkëmbimeve ekonomike dhe bashkëpunimi mes Serbisë dhe Kosovës është dëmtuar kohët e fundit. Dhe embargoja tregtare – e cila vlen edhe për prodhimet nga Bosnja-Hercegovina – dëmton në radhë të parë popullsinë kosovare dhe sektorin privat.
Disa politikanë shqiptarë kanë bërë thirrje kohët e fundit për një rol më të drejtpërdrejtë të Gjermanisë në zgjidhjen e konfliktit midis Serbisë dhe Kosovës. A e përkrahni ju këtë kërkesë?
Politika e jashtme gjermane është gjithmonë e ngërthyer në një kornizë evropiane. Dialogu i normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë udhëhiqet nga BE-ja. Sidoqoftë, nuk mund të mos vihet re se dialogun nuk do ta dëmtonte pak më shumë orientim, me qellim që te mos përfundonte në një rrugë qorre ose të merrte tatëpjetën. Qysh në vitin 2011, kancelarja Angela Merkel mori përsipër një rol udhëheqës në çështjen e statusit. Ajo ende gëzon reputacion dhe adhurim shumë të lartë në Ballkanin Perëndimor. Pozicionimet e Gjermanisë, si fjala vjen, refuzimi i ndryshimit të kufijve, dëgjohen me vëmendje dhe kanë peshë. Edhe fondacionet politike mund të luajnë një rol në këtë proces. Dhe ne po e bëjmë këtë dhe po e bëjmë duke nxitur këmbimin politik në nivel jo zyrtar dhe në Serbi duke shoqëruar “dialogun e brendshëm”, aq të rëndësishëm, të nisur nga presidenti Aleksandar Vuçiç. Sepse në fund duhet të dalë një zgjidhje, e cila do të pranohet nga të dy popujt, duke përfshirë këtu edhe pranimin e ndonjë fakti të dhimbshëm.
Top Channel