Kërkesës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për sqarim mbi vakancat e krijuara pas dorëheqjes së deputetëve të opozitës, Kuvendi iu përgjigj brenda ditës, duke ridërguar për të dytë herë njoftimet përkatëse në KQZ.
Në njoftimin e parë që Komisioni kishte marrë të premten e kaluar nga Kuvendi, mungonin dy elementë thelbësore: deklarimi i përfundimit të mandatit për deputetin e dorëhequr si dhe shpallja e vakancës. Për këto dy elementë KQZ ktheu këtë të hënë një herë topin pranë Kuvendit, i cili vendosi t’i japë fund pingpongut brenda pak orësh.
Top Channel mësoi se pranë KQZ-së kanë mbërritur tashmë edhe një herë të gjitha shkresat, jo më 56 por 57, përfshi këtu dorëheqjen e Fatmir Mediut. Formati këtë herë është ai i ndjekur gjithmonë në të tilla raste:
– Njoftimi i dorëheqjes së deputetit nga mandati
– Deklarimi i përfundimit të mandatit
– Njoftimi i krijimit të vakancës, kërkesa për zëvendësim
Në të tilla kushte, burime nga KQZ pohojnë se ky institucion do të nisë menjëherë procesin e zëvendësimit të mandateve. Të njëjtat burime shtojnë se Komisioni nuk do t’i pranojë dorëheqjet paraprake të firmosura nga kandidatët në listat për deputetë, të cilat kanë nisur të mblidhen në selitë e partive opozitare.
Për këtë do të ndiqet arsyetimi se nuk ka asnjë vlerë ligjore refuzimi i diçkaje që ende nuk të është dhënë. Kështu, kandidatët në listat e partive opozitare do të duhet të deklarojnë edhe njëherë tjetër mospranimin e mandatit pasi ky t’u jetë kaluar nga KQZ.
Top Channel