Opozita e quan një “përbindësh ekologjik” termocentralin që planifikohet të ndërtohet në Korçë.
Ledina Alolli, zv/kryetarja e Këshillit Bashkiak Korçë, u shpreh: “Pasi nuk ia doli që t’i sillte Korçës një TEC që të punonte me qymyr natyror, kur ai mbante postin e numrit 2 të qeverisë, Niko Peleshi firmosi lejen për t’i dhuruar Korçës një “përbindësh ekologjik” i cili do të shkatërrojë në mënyrë të pakthyeshme mjedisin, bujqësinë, turizmin dhe që nuk ofron asnjë garanci për sigurinë e jetës së mijëra banorëve korçarë”.
Zëvendëskryetarja e Këshillit Bashkiak nga radhët e PD-së jep argumente teknike: “Vetëm po t’i referohemi fuqisë së instaluar prej 500 megavat të këtij TEC-i, ndërkohë që për ngrohjen e qytetit mjafton vetëm 15 megavat, është mëse e qartë se qëllimi i investitorit që bujarisht sjell në Korçën tonë 400 milionë euro, është prodhimi i energjisë elektrike nga gazi natyror i cili më pas do të shitet në tregun e huaj”.
PD-ja akuzon kryetarin e bashkisë, Sotiraq Filo se duke u fshehur pas kushtit për ngrohjen e qytetit po mbështet një projekt që shpopullon Korçën. Termocentrali që do të përdorë gazin e TAP-it si lëndë djegëse kundërshtohet edhe nga ambientalistët.
Top Channel