Në prag të Konferencës së Mynihut për Sigurinë, drejtuesja e re e CDU-së, Anegret Kramp Karrenbauer, komenton politikën e jashtme të Gjermanisë në një intervistë të dhënë për “Berlin Policy Journal”.
Ajo e sheh politikën e jashtme të ndarë në disa akse: Aksi Europian, për të cilin Gjermania ka interes të madh që ta shohë me mjaftueshëm fuqi për të vepruar. Aksi tjetër është aksi trans-atlantik, Europë-Amerikë, që për Karrenbauerin duket i vështirë për momentin, për shkak të mosmarrëveshjeve midis SHBA-ve dhe BE-së, sidomos SHBA-Gjermani.
“Sfida më e rëndësishme për ne është të ruajmë aleancën dhe miqësinë, sidomos me shenjat që po shihen, kur sondazhet tregojnë se shumë Gjermanë kanë më shumë besim te presidentët e Kinës apo Rusisë, sesa te ai i SHBA-ve”, thotë ajo.
Gazetarët Andreas Rinke dhe Martin Bialecki i përmendin rastin kur Karrenbauer ka thënë se si Trump, ashtu dhe Putin, janë të vështirë për të dialoguar. Por ajoi këmbëngul që kjo deklaratë nuk i barazon dy udhëheqësit: “Pavarësisht debateve, jam më afër SHBA-ve, ndaj nuk është çështje barazimi. Ajo që kam dashur të them është se në klimën e tanishme, të dy vendet paraqesin sfida të mëdha për bashkëpunim”, shtoi ajo. “Rusia është shumë më afër me Gjermaninë nga pikëpamja gjeografike, por edhe më problematike, pasi planet e Rusisë janë që të destabilizojnë Europën. Rusia do që të shohë fqinj më të dobët, në mënyrë që të shtojë fuqinë e vet. Këto bien ndesh me interesat e Europës dhe të Gjermanisë. Po ashtu, Kina, e cila ka një regjim shumë të ashpër, ka vlera që ndryshojnë nga tonat dhe që ata përpiqen t’i përhapin nëpër botë.”
Kur u pyet rreth prirjeve të SHBA-ve për t’u mbyllur brenda vetes, drejtuesja e partisë më të madhe gjermane tha se kjo nuk është gjë e re, pasi e njëjta politikë është ndjekur edhe nga Obama. Ndryshimi tani është që Trump e sheh politikën e jashtme me vendet aleate të Europës dhe me NATO-n më shumë si çështje biznesi. Dhe për sa kohë që në SHBA nuk duket se ka debate për ta ndaluar këtë rrugëtim, Europa dhe Gjermania duhet të marrin më shumë përgjegjësi në arenën botërore. “Është çështje pozicionimi në arenën botërore. Duhet të pyesim veten nëse jemi të kënaqur me të qenit ekonomi e fuqishme, apo nëse duam të marrim më shumë përgjegjësi. Gjermania nuk mund të jetë një Zvicër e madhe. Tani jemi një qendër shumë e fuqishme në Europë, dhe kjo është vënë re në Bruksel gjithashtu. Gjermania e ka tani kapacitetin që të mbrojë interesat e partnerëve më të vegjël europianë, dhe kjo është ajo që pritet prej nesh”.
Drejtuesja e CDU-së thotë se duhet rritur niveli i mbrojtjes, por 2%-ëshi i PBB për mbrojtjen nuk është një diskutim vetëm për parà, por edhe për cilësi. “Duhen diskutuar siguria kibernetike, pajisja me armë, personel, si dhe infrastruktura. Nuk ka kuptim të shtosh trupat në NATO kur nuk i lëviz dot lirshëm nëpër Europë në rast urgjence, për shkak të infrastrukturës së dobët në rrugë dhe ura”, tha ajo, duke këmbëngulur që kjo nuk është një taktikë e Gjermanisë për të shmangur dhënien e 2% të PBB për NATO-n e për mbrojtjen, në vend të 1.5% siç ka në plan për këtë vit, por për një mënyrë që këto financime të bëhen më cilësore.
Kur u pyet se pse vazhdon të jetë kaq e vështirë përfshirja e Gjermanisë në debate të hapura për politikën e jashtme dhe sigurinë, edhe tani që historia negative është e largët, Karrenbauer tha se kohët kanë ndryshuar, e se Gjermania dhe Europa gjenden në një udhëkryq. “Gjermania nuk mund të dëshirojë të ketë një rol të pavarur në arenën ndërkombëtare, kur shumë prej të ardhurave të një prej ekonomive më të fuqishme varen shumë nga eksportet ndërkombëtare”, thotë ajo.
Zëvendësuesja e Merkelit kundërshton gjithashtu deklaratat se krijimi i një ushtrie të fuqishme gjermane do të shqetësonte fqinjët, si dhe pohon që synimi i qeverisë së saj nuk do të ishte që ta fuqizojnë ushtrinë në mënyrë individuale, si një garë midis vendeve, por brenda kuadrit të bashkëpunimit në NATO, e cila përbëhet nga një ndërthurje e ushtrive europiane. “Synimi ynë duhet të jetë zhvillimi i një ushtrie europiane, përveç NATO-s, që të ketë plan afatgjatë.
Kreu i Konferencës së Sigurisë në Mynih sugjeroi që integrimi evropian duhet të përfshijë edhe zgjerimin e sistemit mbrojtës të Francës në të gjithë BE-në, edhe në Gjermani. Por Karrenbauer thotë se kjo është një situatë e re që do të ketë përgjigje në gjashtë muajt e ardhshëm, pas diskutimeve të shumta që do të zhvillohen. “Na duhet një traktat i ri botëror që të përfshijë jo vetëm Rusinë dhe SHBA-të, por edhe fuqi të mëdha si Kina, apo vende të tjera me arsenal bërthamor. Veç kësaj, nuk do të lija asnjë opsion tjetër pa diskutuar, por as nuk do të angazhohesha në opsione të tjera specifike”, shton drejtuesja e CDU, duke theksuar që Gjermania nuk do të krijojë kurrë arsenal bërthamor.
Për sa i përket masave që duhet të marrë Gjermania kundër përpjekjeve të Rusisë për të destabilizuar Europën, Karrenbauer thotë se Rusia është një fqinj me potencial të madh dhe popull të mrekullueshëm, por qeveria e tyre ndërmerr veprime ekstreme, pa kompromise, duke u mohuar popujve të drejtën për t’u vetëqeverisur, siç ka ndodhur me konfliktet e Gjeorgjisë dhe Ukrainës, si dhe aneksimi i Krimesë. “Nëse Rusia përdor ‘trollë’ që krijojnë lajme të rreme për të përhapur dezinformim në Perëndim, duke ndikuar kështu zgjedhjet, kjo është diçka që s’mund ta anashkalojmë”, thotë ajo. Për këtë arsye, për sa kohë që Europa e ka përjashtuar ndërhyrjen ushtarake, e vetmja masë që mbetet për t’u marrë është vazhdimi i sanksioneve ekonomike, pasi alternativë tjetër nuk ofrojnë as ata që i kritikojnë këto sanksione.”
Karrenbauer shton se Europa duhet të jetë e bashkuar që të mos kthehet në një gur shahu i fuqive të tjera të mëdha.
Top Channel