Lëvizja Socialiste për Integrim mblodhi pasditen e sotme Këshillin Drejtues Kombëtar. Gjatë fjalës së saj, kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi u shpreh se protestat e javës së fundit të opozitës ishin dëshmi e qartë se shumica e shqiptarëve nuk duan që të qeverisen më nga kjo qeveri.
Por Kryemadhi tha se i kanë parashikuar të gjitha pasi vendosën të lënë mandatet dhe se nuk do të ndalojnë në aksionin e tyre.
“Ne jemi të përgatitur për çdo lloj skenari të mundshëm që kërkon të organizojë grupi kriminal që sot ka emrin Rilindje.Të jeni të bindur se presioni, dhuna dhe intimidimi ndaj njerëzve të LSI do të jetë pafundësisht, dikujt do ti trokasë policia në derë, dikujt do ti hiqet gruaja nga puna qoftë dhe sanitare në një shkollë fshati, dikujt do ti vijë ndonjë letër prokurorie që e thërret, dikujt do ti vijë me zarfin me para në shtëpi për të shlyer borxhet apo për të paguar shkollën e fëmijës apo diçka tjetër, dikujt do ti vendosin lëndë eksplozive në dyert e shtëpive apo bizneseve”.
“Nuk na ndalin dot sepse nuk është më shumicë, është vetëm dhe nuk ka më njeri që e gjëmon nga mbrapa. Është vetëm jo se është vetëm politikisht, por është vetëm si xhelati i shqiptarëve.Deri dje e ka luajtur shumë mirë aktrimin si viktima e sistemit shoqëror shqiptar, – vijoi Kryemadhi. – Por sot më shumë se kurrë çdo njëri prej nesh e di se Edi Rama është xhelati i shqiptarëve dhe njeriu që u ka shkaktuar më shumë vuajtje se kushdo tjetër shqiptarëve. Vendimi i opozitës është vetëm një: Ta kthejmë Shqipërinë në shtëpinë tonë”.
Kryemadhi paralajmëroi se nga dita e nesërme të gjithë kryetarët e LSI në çdo bashki do të jenë të organizuar bashkë me kryetarët e PD-së dhe partive të tjera të frontit opozitar, ku do të ngrihen shtabet e përbashkëta për të vazhduar protestën lineare në çdo segment, çdo qytet, çdo ditë.
Top Channel