“Top Talent”, “talent show” në kërkim të gazetarëve, prezantuesve, si dhe këtë sezon shtohet edhe kategoria e interpretuesve në zhanre të ndryshme, si kërcim, numra shpejtësie, shpikje, pantomim, akrobatë etj., rikthehet në sezonin e dytë në Top Channel.

Mbi 600 aplikime janë dërguar në faqen e internetit të Top Channel për sezonin e dytë të “Top Talent”. Të shumtë kanë qenë aplikuesit nga Shqipëria, si dhe Kosova e Maqedonia.

Për të gjithë të interesuarit që kanë dërguar “e-mail” dhe kanë telefonuar, Top Channel do të shtyjë deri ditën e dielë, dt. 24 shkurt, aplikimet.

Për të qenë pjesë e “Top Talent” duhet të aplikoni si fillim në faqen e internetit të Top Channel. Në javën e parë të muajit mars do të nisin audicionet e para të kësaj shfaqjeje televizive.

Këtë sezon, në kategorinë e talentëve të veçantë, fituesit do të fitojnë një çmim të konvertuar në një vlerë monetare, si dhe gazetarët e prezantuesit më të talentuar, që do të fitojnë në mbrëmjen finale, do të ketë për secilin nga një çmim.

“Top Talent” është një format i veçantë dhe unik, ku grupmosha të ndryshme, ambiciozë e të talentuar, sfidojnë veten përpara jurisë dhe publikut pjesëmarrës në sallë, por edhe nga ekrani.

Skenografia në sezonin e dytë është konceptuar të jetë teknologjike dhe spektakolare. Transmetimi do të nisë në fillim të muajit maj në televizion, ndërsa në “live stream” në kanalin e Top Channel në “Youtube” do të jenë “backstage” edhe shumë detaje nga audicionet, që mund t’i ndiqni.

Këtë sezon, formati vjen i ndryshuar në koncept dhe fton të gjithë shqiptarët, kudo ku jetojnë, brenda dhe jashtë Shqipërisë, të bëhen pjesë e këtij “talent Show”. Në sezonin e parë, realizuar në muajt korrik-gusht të vitit 2018, fituesit vazhdojnë ende sot rrugëtimin në Top Channel.

“Show” do të vijë në prezantimin e Eneida Tarifes. “Top Talent” është një mundësi për të gjithë gazetarët dhe prezantuesit e rinj, që synojnë të jenë pjesë e televizionit, por edhe për të gjithë interpretuesit e veçantë. Të gjithë mund të aplikoni në faqen e internetit të Top Channel, www.top-channel.tv, aplikimet janë të hapura deri në datën 24 shkurt.

Top Channel