NATO është trazuar që kur Moska ka thënë se do të dalë edhe ajo nga pakti i çarmatimit INF, si reagim ndaj daljes së SHBA.

Si duhet t’ i përgjigjet Aleanca Veriatlantike rrezikut të raketave ruse? “Gjendja është “serioze”, tani duhet menduar për një “botë pa paktin e çarmatimit”, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Aleanca transatlantike nuk do që të nxitohet për të gjetur përgjigjen e përshtatshme. Kjo u bë e qartë që në fillim të takimit dyditor të Këshillit të Mbrojtjes së NATO-s në Bruksel, takimin e parë të NATO-s që kur SHBA, e mbështetur nga NATO bëri të qartë në fillim të shkurtit se vetë do të dalë nga Pakti i Çarmatimit INF të lidhur me Rusinë, për raketat me rreze të mesme veprimi, të afta për t’u përdorur si armë atomike.

Momentalisht, sipas zyrtarëve, Aleanca nuk punon as për të përjashtuar, as për të vendosur hierarki e as për të përfshirë. Shumë më tepër duhet lënë kohë për të diskutuar, për të vendosur në tavolinë një “propozim të arsyeshëm dhe të zgjuar”. Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, tregohet i kënaqur, ndryshe nga herët e tjera kur buxheti ka qenë arsye për grindje të vërteta.

“Të gjithë anëtarët e NATO-s kanë dhënë më shumë para’ për mbrojtjen”, tha Stoltenberg.

16 anëtarë do të arrijnë deri në vitin 2024 synimin e deklaruar për të dhënë për mbrojtjen 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Gjermania, e cila planifikon 1,5%, nuk është pjesë e tyre.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA