Plot 7 taksa dhe tarifa paguajnë qytetarët shqiptarë për çdo litër naftë apo benzinë që blejnë.

Ky ndoshta është një rekord botëror, duke bërë që çmimi final i karburanteve të përbëhet në pjesën më të madhe të tij, gati 60% nga taksat që i shkojnë shtetit. Por, barra fiskale mund të rritet përsëri, me dy tarifa të reja.

E para lidhet me koncesionin për kontrollin e pompave të pikave të karburantit, një shërbim ky që nga duart e shtetit do të kalojë te privati, madje procedurat e koncesionit janë hapur. Tarifa tjetër lidhet me krijimin e një agjencie të re qeveritare, e cila do të menaxhojë rezervat e detyrueshme të sigurisë së karburanteve që një shtet duhet të mbajë. Projektligji po qarkullon në zyrat e qeverisë dhe i është shpërndarë dhe grupeve të interesit.

Në draft thuhet qartë se financimi i kësaj agjencie, si pjesa administrative ashtu dhe pjesa e krijimit të rezervave të karburanteve do të bëhet përmes një tarife të vendosur mbi çmimin e shitjes së naftës dhe benzinës.

Dhe sigurisht që dy tarifat e reja nuk do të paguhen nga kompanitë, por nga qytetarët të cilët shprehin shqetësimin për çmimet e larta që paguajnë.

Shqipëria nuk është pa rezerva sigurie karburantesh. Sipas ligjit aktual, ato mbahen në gjendje nga kompanitë e tregtimit me shumicë të hidrokarbureve të cilat duhet të mbajnë një sasi depozite të barabartë me 30 ditë mesatare shitje. Me ligjin e ri, rezerva e sigurisë do të jetë e barabartë me 60 mesatare të konsumit ditor. Agjencia e re do të bëjë gjithçka nga e para dhe gradualisht deri në vitin 2022 duhet të jetë funksionale, që nga krijimi i infrastrukturës së depozitimit e deri tek blerja e naftës, benzinës dhe gazit.

Ndërkohë, paratë do të nxirren nga tarifa e re që do të vendoset mbi karburantet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA